Kurtishi ka bërë të ditur se gratë më shumë preken nga kanceri i gjirit, ndërsa burrat me atë të mushkërive

10 deri në 15 për qind krahasuar me vitet paraprake janë rritur rastet e reja me tumor, dhe ky shtim i rasteve po bëhet sfiduese për Klinikën Onkologjike, ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i klinikës, Ilir Kurtishi.

Kurtishi ka bërë të ditur se gratë më shumë preken nga kanceri i gjirit, ndërsa burrat me atë të mushkërive. Sfidë për këtë klinikë mbetet numri i vogël i infermierëve.

“Kemi rritje të numrit të rasteve diku 10 deri 15 për qind në krahasim me vitet paraprake. Kjo mbetet sfiduese për ne sepse një përqindje e tillë e rasteve me tumore është një sfidë edhe për Onkologjinë. Kemi të bëjmë me një problematikë e cila është në të gjitha vendet e rajoni e në Evropë e botë e së bashku me sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktarët  kryesorë të mortalitetit në botë”, ka thënë Kurtishi.

“Vitin e kaluar kemi pasur 450 femra me kancer të gjirit, dhe kemi pasur rreth 250 deri 300 me kancer të mushkërive. E në total kur i marrim të gjitha rastet e sëmundjeve patologjike aty është rreth 5 për qind më shumë te meshkujt se sa te femrat por me dominim të caktuar të sëmundjeve të tumoreve pra dallojnë nga meshkujt dhe femrat”, ka thënë Kurtishi.

Kurtishi ka treguar edhe për rastet që janë trajtuar jashtë vendit për çka ka thënë se çdo vit e më pak referohen për t’u trajtuar jashtë.

“Këtë vit ne kemi pasur shumë pak vetëm dy rekomandime dhe ato njëra ka qenë për raste pediatrik dhe një rast tjetër i rekomanduar nga neurokirurgjia për një rast të veçantë të mjekimit dhe ky numër është ulur nga viti në vit. Me aktivizimin e dy observatorëve të rinj ne e kemi ulur këtë numër në mënyrë maksimale dhe ndërkohë do të vazhdojmë me teknika të reja dhe kjo do të rrisë edhe më shumë kualitetin e shërbimeve radioterapike dhe ulë në masë të konsiderueshme numrin e referencave jashtë vendit.”, ka thënë ai.

Kurtishi foli edhe për vetëdijësimin e popullatës karshi sëmundjeve të tilla.

“Ka një vetëdijesim shoqëror pak më të mirë, sidomos te tumoret e gjirit dhe tumoret e zorrës së trashë por kjo nuk mjafton sepse duhet të bëhet edhe më shumë në kuptimin që sëmundjet duhet ti zbulojmë sa më herët tumoret në stadin e parë dhe të dytë në një përqindje gati 50\%  në krahasim me vitet e mëparshme”, ka thënë ai.

Onkologu Kurtishi ka folur edhe për sigurimin e barnave, për të cilën ka thënë se aktualisht qëndrojnë mirë.

“Jemi të furnizuar mirë nga barnatorja qendrore e SHSKUK-së dhe përpos disa preparateve të cilat i kemi pasur mungesë vitet e fundit kemi pasur furnizim gati mbi 90 për qind. Me sigurimin e disa barnave të cilat janë kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë do të kemi furnizim nga lista esenciale mbi 90 për qind -93 për qind që për herë të parë kemi furnizim maksimal me këto barna”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur disa nga sfidat që përballen, siç është numri i vogël i infermierëve, pasi brenda ditësh deri 30 pacientë marrin shërbime në Onkologji. Ndërsa shqetësuese e sheh rritjen e rasteve të reja me këto sëmundje.