Kusari-Lila paralajmëron rrëzimin e Qeverisë Hoti

0

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila paralajmëroi rrëzimin e Qeverisë Hoti. Ajo thotë se në javët në vijim do të riaktivizojnë mocionin e mosbesimit ndaj ekzekutivit. Madje shprehet e sigurt se aktualisht ka deputetë të mjaftueshëm për të ftuar seancën, e më pas votuar pro shkarkimit të kryeministrit Avdullah Hoti.

Deputetja Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress thotë se ende nuk kanë marrë vendim se a do t’iu kërkojnë nënshkrimet edhe deputetëve të Listës Serbe, pas deklaratave të tyre pro rrëzimit të Qeverisë Hoti.

“Natyrisht se mbetet aktuale kërkesa jonë për mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e qeverisë apo mosbesimin e Qeverisë Hoti. Por do të rishikohet në javët në vijim ripozicionimi ynë si Grup Parlamentar, në kuptimin e organizimit dhe marrjes së mbështetjes dhe nga deputetë të tjerë të gatshëm për të rrëzuar Qeverinë Hoti. […] Nuk mund të mohoj, as pohoj në këtë moment dhe këto rrethana. Por besoj që mund të ketë mjaftueshëm deputetë të shumicës shqiptare, por edhe pakicave të tjera për të ftuar seancën fillimisht, e më pastaj për të votuar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Hoti. Po mendoj se kur arrihet ajo pikë mund të mbeten vetëm disa deputetë të LDK-së që do të mbështetin këtë qeveri, ashtu siç po shihet dallimet po thellohet edhe ndërmjet partnerëve qeverisës, por edhe partitë që e kanë mbështetur”, thotë Kusari-Lila.

Ajo thotë se zgjidhja e vetme për rrethanat aktuale politike janë zgjedhjet. Këtë e bazon edhe në mungesën e numrave të koalicionit qeverisës në Kuvend dhe dështimin e miratimit të Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

“Vendi mund të ketë vetëm një zgjidhje, e cila është shkuarja në zgjedhje. Atë në një zgjedhje të jashtëzakonshme që do të organizoheshin konfrom masave për ruajtjen e shëndetit publik, siç është bërë në tërë botën. Tash edhe në vendet demokratike që kaluan në procese zgjedhore. Daljen e një qeverie me legjitimitet dhe një Kuvendi me përgjegjësi dhe program intensiv të ruajtjes së shëndetit, por edhe rimëkëmbjes”, u shpreh ajo.

Kusari-Lila  foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin u shpreh se duhet të ketë rivlerësim të tërësishëm.

“Këto rrethana duhet të ketë rivlerësim të dialogut, definitivit. Duhet të shikohet pozicioni dhe nuk kemi parë ne një strategji për dialog. Do të thotë qeveria e Kosovës aktualisht kanë shkuar në dialog me agjenda të përcaktuara nga të tjerët, nuk ka dalë në mënyrë proaktive të përcaktojë agjendë të vetën. Nuk ka treguar konsistencë në qëndrime të cilat janë me rëndësi për qytetarët e Kosovës, ka treguar që shkon me dinamikën që ia përcakton tjetër kush”, tha ai.

Kandidaturën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj për president të vendit dhe kërkimin e votave për këtë postë, Kusari-Lila e cilësoi anti-kushtetuese. Sipas saj kjo dëshmon se ai nuk është adekuat për këtë zyrë

“Zotëri Haradinaj ka treguar që nuk është fare adekuat për këtë zyrë, me vetë faktin si ka filluar të kërkojë vota, duke filluar të bëjë gabime përmbajtjesore. Nuk i ka njohurit bazike për Kushtetutën e vendit, duke ofruar vota ‘veresi’ për të ardhmen nga pozita e presidentit që është shkelje e kushtetutës”, thotë ajo.

E për emërimin e presidentit të ri, Kusari-Lila thotë se duhet të merret legjislatura e radhës pas zgjedhjeve të reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *