KUSH E SOLLI LIRINË DHE KUSH PO E SHLYN NGA KUJTESA?

Shkroi:Kumrie Shala – Pejë

Profesore, poete, gazetare, udhëheqëse e kategorive të luftës në Pejë, themeluese e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve për Kosovë dhe anëtare në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, veterane, motër dëshmori.

Ndajeni shapin nga sheqeri!

Ata që sollën lirinë, që e ndërtuan shtetin e Dardanisë dhe i dhanë vlerë këtij shteti, janë pikërisht ata që u flijuan si të zinjtë e ullirit për këtë tokë.

E kush ishin ata, përveç Dëshmorëve, Martirëve, Invalidëve, të Zhdukurve, të Dhunuarave dhe të Burgosurve Politikë të vërtetë, që mbrojtën vlerat kombëtare me trup e shpirt?

Të rëndësishëm për formimin e shtetit ishin edhe ata që kontribuan me të holla, ata që mësuan në shtëpitë e tyre, ata që shtypën gazeta për shkollat shqipe , pa dyshim! Por jeta e atyre që u flijuan nuk mund të krahasohet me një revistë apo gazetë të botuar.

Nuk ka gjë më të shenjtë sesa të flijosh vetveten me vetëdije për atdhe dhe për kombin.

Më kanë shqetësuar disa shkrime dhe disa emra rrugësh në qytetet e Kosovës, madje edhe në komunën e Pejës.

Nuk e di: a ka ndonjë kriter për emërtimin e rrugëve? Apo edhe aty duhet të paguash, ose të kesh lidhje familjare e politike?

Shoh shumë emra rrugësh të quajtura sipas gazetarëve, sportistëve, shkrimtarëve për fëmijë, muzikantëve etj. Nuk kam asgjë kundër këtyre kategorive, por më vjen të pyes:

Ku po shkon kjo shoqëri? Çfarë po u servojmë brezave që vijnë pas nesh – të vërtetën apo përralla?

Pse duhet të shkruajmë historinë me gënjeshtra?

Pse duhet ta shkruajmë sipas qejfit tonë, dhe nesër të përballemi me përçmimin e brezave që do të pyesin:

“Pse na mashtruat?”

Pse po paguajmë njerëz që të shkruajnë për të pavlerët, derisa heronjtë e vërtetë harrohen?

A nuk keni frikë Zotin, kur dhjetëra dëshmorë mbeten në hije, pa u përmendur askund përveç në lista të ftohta? Vetëm pse familjarët e tyre heshtën, me shpresën se shteti do të jetë korrekt dhe i ndershëm ndaj tyre?

Realiteti është i dhimbshëm: Shumë nga ata që kanë vlera, nuk janë askund. Ky është mëkat i madh ndaj atyre që dhanë jetën për këtë vend.

Ky shkrim nuk vjen nga inati ndaj askujt, por nga dhimbja kur shoh në rrugët tona emra që as shtëpia e vet nuk i ka njohur!

Nuk shkruhet historia e një shteti me gënjeshtra, o njerëz!

Të gjithë ju që doni të shkruani për profesorët, mësuesit – ka libra mjaftueshëm për kontributin e tyre. Kërkoni në zyrat adekuate , aty i gjeni faktet.

Mos i përfshini njerëzit e partive në komisione, sepse ata i shohin emrat si vota.

Ndërsa ju që e quani veten gazetarë, poetë, shkrimtarë , mos u shitni për para, ju lutem. E vërteta nuk blihet.

Poeti, shkrimtari, gazetari duhet të jenë të paanshëm dhe të ndershëm.

Komisionet për vlerësim të emrave t’i formojnë profesionistët e fushës, jo militantët.

Deri kur do të blehet vlera e rreme dhe të shkruhet për njerëz pa kontribut?

Shumë moderatorë në Kosovë e Shqipëri po përpiqen të duken më “papë se Papa”. Mundohuni të kuptoni thelbin e temës, jo vetëm të flisni bukur.

Ju që sapo keni filluar të shkruani, duhet të keni kujdes se për çfarë po shkruani, sidomos kur flisni për arsimin në Kosovë. Po ta kishit përjetuar sakrificën e mësuesve dhe profesorëve, do ta ndjenit më thellë vuajtjen tonë kolektive.

Ne jemi burgosur, rrahur dhe maltretuar – vetëm pse ishim shqiptarë. E ç’të themi për mësuesit dhe profesorët patriotë, që kanë përjetuar tmerre vetëm që të na mësonin, që të mos thyheshim kurrë si komb.

Profesorët e gjuhës dhe letërsisë, shumë prej tyre kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe sot janë në listat e dëshmorëve dhe martirëve. Ata nuk kursyen as jetën për flamurin dhe gjuhën tonë të shenjtë, shqipen. Disa janë kalbur në burgje, janë masakruar ose ende të zhdukur – vetëm pse mbronin identitetin tonë kombëtar.

Fatkeqësisht, shumë prej tyre janë lënë në hije, ndërkohë që “patriotët e rremë” paguajnë për të shpallur veten heronj.

Askush nuk e përshkruan më mirë këtë realitet sesa libri:

“Arsimtarët, profesorët dëshmorë dhe martirë që ranë në luftën e UÇK-së” nga prof. Qazim Berisha dhe prof. dr. Zumer Mehani. Ky libër është një dëshmi e gjallë e kontributit të tyre.

Po ashtu edhe librat e komandant prof. dr. Sbahajdin Cena.

Janë edhe 2 a 3 libra te tjera për kontributin e luftës dhe arsimit ne Kosovë .

Duhet të jemi syhapur, të mos shkruajmë për hatër të mikut apo për lek.

Nuk duhet të na verbojë entuziazmi, kur nuk njohim vërtet shtyllat e kombit tonë.

Që në fillim duhet të dimë: çfarë dhe për kë po shkruajmë.

Mos bëjmë mizën bull. Vlerat kombëtare janë të njohura, mos i ngatërrojmë me revista fëmijësh./Qendra press/