KUSH HUMBI DHE KUSH FITOI SOT NË BRUKSEL?-Shkruan;Prof. Dr. Milazim KRASNIQI

0

                                1. Themeli i marrëveshjes së përkohshme, që u arrit sot në Bruksel për tabelat e veturave është se do të punohet në muajt në vijim, për të arritur një marrëveshje të përhershme. Pra, kjo është një marrëveshje e përkohshme, siç ka qenë e përkohshme edhe ajo para saj, e cila kur skadoi, shkaktoi krizën. Nëse nuk gjendet një marrëveshje e përhershme më vonë, edhe kjo e sotmja, mund ta kthejë krizën. Në fakt, marrëveshjet e përrkohshme janë në pajtim me konceptin që ka Serbia për institucionet e Kosovës, “institucionet e përkohshme kosovare” (privremene kosovske institucije.) Pra, çdo marrëveshje që e ka karakterin si e përkohshme, është më shumë në favor të Serbisë e më shumë në dëm të Kosovës. Edhe kjo marrëveshje është e tillë.

2. Kjo marrëveshje e përkohshme është në funksion të deeskalimit të situatës në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Pra, qëllimi i ndërmjetësuesve ka qenë të ulet shkalla e rrezikut nga ndonjë incident a konflikt në terren. Rrjedhimisht, marrëveshja e tillë është produkt i presionit të ndërmjetësve, e jo i vullnetit të palëve. Palët po të kishin vullet më të mirë, nuk do ta sillnin gjendjen në atë shkallë eskalimi. Edhe elementet e marrëveshjes së përkohshme janë të ndërmjetësve, e jo të palëve në konflikt.

3. Qeveria e Kosovës do të krenohet se e ka ruajtur reciprocitetin me tabelat. Por do të tentojë ta fshehë faktin se nga një çështje krejt teknike, ka shkaktuar një problem të sigurisë nacionale dhe një problem politik të rëndë për Kosovën. Kurti dhe qeveria e tij do të tentojë ta fshehë edhe faktin që policia speciale largohet me detyrim nga terreni dhe fatkeqësisht largimi i saj barazohet me largimin e bandave serbe, që kishin bllokuar rrugët. Kurti do të tentojë të fshehë faktin se kthimi i KFOR-it është kthim prapa i sigurisë dhe i institucioneve të Kosovës. Propaganda e fuqishme e qeverisë dhe e LVV, si dhe injoranca e masave, mund ta ndihmojë që t’i fshehë këto dështime të rënda.

4. Qeveria e Serbisë do të krekoset se e ka shpëtuar popullin serb në Kosovë nga pogromi. Vuçiqi dhe qeveria serbe do të manipulojë me ndjenjat e serbëve deri në absurditet. Do të krekosen se kanë guxuar të aktivizojnë tanke e avionë, por do ta fshehin faktin se nuk ka guxuar dhe nuk guxon fare t’i afrojë në kufrin e Kosovës, gjë që ia ndalon Marrëveshja Teknko-Ushtarake me NATO-n. Vuçiqi dhe qeveria serbe do të tentojë të thotë se e kanë ruajtur paqen, ndonëse u pa qartë që ai është luftënxirës i tmerrshëm, nxënës besnik i Sheshelit dhe Millosheviqit. Në fakt, ai është kriminel lufte nga vitet 90.

5. E sigurt është që Vuçiqi dhe Kurti do të jenë humbës në sytë e SHBA, NATO-s dhe BE-së. Kurti do të mbahet përgjegjës që ka dërguar në një mision të panevojshmë e të rrezikshëm policinë speciale, duke rrezikuar të shkaktohen incidente të rënda me serbët lokalë. Vuçiqi do të mbahet përgjegjës për lojërat me armë në kufi, duke provokuar NATO-n. Vizita e ambasadorit rus në afërsi të kufirit, nuk do të kalojë pa u evidencuar si vasaliteti i Serbisë ndaj Rusisë.

6. Fitues moralë dhe realë nga kjo krizë janë KFOR-i, SHBA, BE. Ata e shmangën krizën dhe e gjetën një formulë për një marrëveshje të përkohshme, e cila e rifuqizoi KFOR-in në terren dhe ndërmjetësinë e BE-së dhe SHBA-së në Bruksel.

7. Fitues moralë në këtë krizë është edhe opozita (PDK, LDK, AAK) të cilat në këtë rast konkret dëshmuan se interesin shtetëror e kanë mbi interesin partiak. Poashtu fitues është edhe Edi Rama, i cili vizitën e tij në Kosovë e shfrytëzoi në mënyrë maestrale, për veten e tij.

30 shtator 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *