Lajçaku vjen sot në një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të vijë të hënën pasdite në Kosovë. Ioanna Lachana nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net se vizita e Lajçakut zgjat dy ditë, sot dhe nesër.“Po, vizita e tij në Kosovë është sot dhe nesër”, tha Lachana.I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të mbërrijë në Prishtinë sot pasdite për t’u takuar me liderë kosovarë për të biseduar për temat e fundit lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së. Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.Lajçak pati thënë se Kurti dhe Vuçiq janë treguar të gatshëm për zbatimin e marrëveshjes, por kanë pasur mospajtime për modalitetin.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor tha para deputetëve të Kuvendit se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, tha Kurti.
Ai tha se draft-statuti iu prezantua nga përfaqësuesit e “Pesëshes së Madhe” më 21 tetor në Prishtinë, të cilët, sipas tij, “më kërkuan garancione që drafti të mos e bëj publik, për shkak që publikimi i tij do të keqpërdorej në dëm të kontributit të qeverive sponsorizuese”.
Por, kryeministri kosovar tha se mund të japë vetëm qëndrimin e tij politik.
“E dyta, drafti në vlerësimin tim politik e bënë të qartë që mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues. Pra, nuk do paragjykoj e as ndërhyjë në kompetencat e komunave të organeve qendrore e kështu me radhë”, tha Kurti./Reporteri.net