Latifi: Kosova u ka së paku 13 milionë euro borxh spitaleve turke

                     Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se Kosova u ka të paktën 13 milionë euro borxh spitaleve turke për trajtimin e pacientëve.Latifi është zotuar për t’i paguar ato.“Sipas një shifre ne i kemi të paktën 13 milionë euro borxh (spitaleve turke) që i dimë dhe jemi zotuar për t’i paguar ato, por ky numër është më i madh sepse kemi plotë pacientë që kanë shkuar për trajtim që nuk kemi marrë llogaritë prej tyre. Është numër substancial”, ka thënë Latifi, për Kallxo.com.Ministri Latifi tha se kjo mund të ndalet me ndërtimin e qendrave ekselence klinike të Kosovës.“Qendra emergjencës dhe traumës, qendra e djegieve, qendra për shëndetin e gjirit,  qendra e integruar e programit onkologjisë, qendra endovaskulare, qendra e avancuar neurokirurgjike, qendra e kardiokirurgjisë së fëmijë”, janë disa prej 12 qendrave që ministri Latifi tha se do të krijohen.Ai ka shtuar se për një kohë të gjatë shumë vende i kanë marrë Kosovës edhe lekun e fundit për trajtime shëndetësore.“Shumë vende për një kohë shumë të gjatë e kanë mjelë Kosovën edhe në lekun, centin e fundit për çështje të cilat nuk është dashur ta bëjmë atë. Ne kemi mjekë të mirë këtu dhe është dashur të krijojmë bazën tonë”, ka thënë Latifi.Tutje Latifi ka folur edhe për vizitën e tij në Turqi dhe tha se qëllimi i tij është që ta ndalë derdhjen e pacientëve të Kosovës atje.Kam pasur takime më ministrin e Turqisë dhe me spitalet dhe ja kam bërë shumë të qartë që qëllimi im është me ndalë derdhjen pacienteve të Kosovës. Jemi marrë vesh me vazhdua bashkëpunimin tonë, me krijua një grup punues që ka me qenë prej ministrisë së shëndetësisë së Kosovës dhe Turqisë”, ka shtuar ai.