Latifi: Mjekët shqiptarë në botë të kontribuojnë për shëndetësinë në Kosovë
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, iu bëri thirrje mjekëve shqiptarë në Austri, se të gjithë së bashku mund ta bëjmë ndryshimin, zhvillimin dhe transformimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.Këtë thirrje, ministri Latifi, e bëri gjatë takimit që pati me mjekët shqiptarë në Vjenë, e ku temë diskutimi ishte kontributi dhe bashkëpunimi i të gjithëve për përmirësimin e gjendjes në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Meqë ndër shtatë shtyllat e transformonit të sistemit shëndetësor në Kosovës, është edhe kthimi i trurit, ministri Latifi u premtoi mjekëve shqiptarë në Vjenë se nëse të gjithë veprojmë për përmirësimin e kësaj situate në shëndetësi, atëherë rezultatet pozitive nuk do të mungojnë.“ Unë jam shumë optimist se shumë gjëra kanë me ndodhë për përmirësimin e sistemit shëndetësor, nëse të gjithë kontribuojmë dhe bashkëpunojmë në këtë aspekt. Prandaj, ju ftoj juve të gjithëve dhe të tjerët, të na bashkangjiteni në këtë rrugëtim për të punuar bashkë për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend”, tha ministri Latifi.Sipas një komunikate të MSh-së, Latifi veçoi se ky transformim i sistemit shëndetësor kërkon ekip dhe bashkëpunëtorë, prandaj mjekët shqiptarë jo vetëm në Austri, por edhe në vendet tjera të botës, duhet të japin kontributin e tyre për zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë.Ndërkaq, mjekët shqiptarë, i premtuan ministrit Latifi, se janë të gatshëm bashkë të jenë pjesë e rrugëtimit që ka të bëjë me zhvillimin dhe transformimin e sistemit shëndetësor në Kosovë