LDK ja Prizrenit, e kapur
Interesi ynë si i gjithë anëtarësisë së LDK-së, edhe i degës sonë ka qenë dhe është konsolidimi i degës dhe rikthimi i saj si alternativë qeverisëse në komunën tonë! Ky interes na ka bërë që të angazhohemi sinqerisht në të gjitha mënyrat dhe mundësitë që kemi pasur! Mirëpo, për fat të keq, në degën tonë kanë kaluar individë që nuk kanë pasur dhe nuk kanë të bëjnë më LDK-në, dhe LDK- në e kanë përdorur vetëm si trampolinë për interesa të tyre, e jo të degës! Edhe pse i panjohur për ne, për anëtarësinë dhe strukurat e degës, Driton Selmanaj fillimisht është mirëpritur dhe është mbështetur fuqimisht me besimin se do të konsolidojë degën dhe do ta fuqizojë atë! Mirëpo, me kalimin e kohës kemi pasur rastin ta njohim dhe të shohim se Driton Selmanaj nuk është personi adekuat për të menaxhuar degën, për ta konsoliduar dhe për ta forcuar atë, prandaj me kohën edhe kemi heqë përkrahjen dhe mbështetjen tonë ndaj tij! Vërejtjet tona kanë të bëjnë me mungesën e kapaciteteve politike, aftësitë drejtuese dhe motivuese, dhe mosndërlidhja me frymën e LDK-së! Gjatë kohës si kryetar dege me mandat të mbetur pas dorëheqjes së kryetarit të zgjedhur, Driton Selmanaj nuk ka bindur se ka aftësi dhe kapacitet për të konsoliduar degën, për të ngjallur një frymë besimi dhe një praktikë gjithëpërfshirëse te anëtarësia dhe të strukurat e degës dhe të nëndegëve! Gjatë tërë kohës ka funksionuar më shumë si drejtues klani dhe një grupi të vogël tip klientele me lidhje personale me të, sesa si kryetar i degës! Gjatë tërë kohës ka injoruar dhe ka lënë anash frymën gjithëpërfshirëse të shtrirjes së aktivitetit dhe të veprimtarisë sa më të gjerë! Më shumë sesa interesi i degës dhe i anëtarësisë, Driton Selmanajt i interesonte pozita e tij, interesi i tij dhe i një grupi të vogël rreth tij! Kjo u pa në kuvendet e nëndegëve, në të cilat në kundërshtim me Statutin, ndërhynte në punën e tyre, propozonte kryetarët, anëtarët e kryesive të nëndegëve, delegatët e tyre etj! Në këtë mënyrë edhe Kuvendin zgjedhor e ktheu në një farsë të rëndë që prodhoi pakënaqësi të mëdha jo veç në strukura, por edhe në anëtarësi! Krijimi i një grupi të njerëzve të kryetarit, mospërfshirja dhe mosshtrirja e përfaqësimit sa më të gjerë, nuk po na jep shpresë se kjo degë do të mund të konsolidohet, prandaj nuk mund të jemi pjesë e një farse të kryetarit dhe të grupit të tij, i cili duket se nuk e do dhe nuk i intereson konsolidimi dhe fuqizimi i degës, por vetëm pozita dhe interesi i tij personal! Me një praktikë dhe me një frymë të këtillë që është frymë përjashtuese, injoruese dhe e klientelizmit, Driton Selamanaj nuk ka lënë vend për kontribute dhe për angazhime serioze dhe të dobishme të pjesës më të madhe të strukurave dhe të anëtarësisë, por njerëzit synon t’i kthejë vetëm në shërbëtorë të interesave të tij! Fryma e këtillë përjashtuese dhe e shndërrimit të njerëzve në shërbëtorë të tij, nuk është fryma e LDK-së dhe nuk mund të na bëjë të ndihemi të dobishëm për degën, por vetëm sherbëtorë të tij! Është e sigurt se kjo frymë autoritariste, despotike dhe klienteliste nuk është në të mirë të degës dhe nuk e mbështesim, dhe për këtë arsye nuk duam të jemi pjesë e kësaj farse, dhe nuk duam të kemi përgjegjësinë për dëmet që po i bëhen degës dhe anëtarësisë! Prandaj, është një veprim i imponuar që të mos vazhdojmë të kontribuojmë për interesa të një individi, i cili duket se LDK-në e ka strehë kamuflimi dhe karrierizmi personal! Këtë e bazojmë në faktin se Driton Selamaj, siç na ka thënë edhe vetë, më parë i është ofruar një partie tjetër, por meqë nuk ka hasur në gatishmëri për realizim pazari, ka përfunduar në LDK! Po ashtu, tash vonë kemi marr vesh se është i biri i një nga themeluesit e VV-së në Prizren, i cili ka kontribute në VV! Prandaj, si përfundim, vlerësojmë se Driton Selamanaj klientelizmin nuk e ka veç si mënyrë dhe si mendësi karrieriste, por edhe si punë pazaresh dhe frymë të ndryshme dhe të kundërt me të LDK-së! Si i këtillë, siç nuk e ka pasur, edhe më tej nuk do ta ketë mbështetjen dhe gatishmërinë tonë për të qenë në shërbim të këtyre interesave!
Ne disa kryetarë nëndegësh, japim dorëheqje nga pozita e Kryetarëve të nëndegëve, e mbesim anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e delegatë të kuvendit të degës së LDK-së, në Prizren; Salajdin Fanaj, nëndega ” Bajram Curri”
Nderim Gashi, nëndega ” 28 Nëntori”,
Besmir Hoxha, nëndega ” Lidhja e Prizrenit”,
Behar Rakaj, nëndega ” 11 Marsi”,
Bahtijar Sertollaj, nëndega “Xhevat Berisha”.
/www.qendrapress.com/