LDK kërkon anulimin e përzgjedhjes së militantit të Vetëvendosjes drejtor në RTK
Pas përzgjedhjes drejtor në RTK të militantit të Vetëvendosjes, Rilind Gërvalla, nga Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësojnë se kryeministri Kurti po tenton ta institucionalizojë propagandën përmes televizionit publik.
Sipas LDK’së, televizioni publik i Kosovës është institucion i pavarur, por përzgjedhja e Gërvallës drejtor nënkupton se pushteti po e kap atë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit”, thuhet në reagim.
Nga kjo parti kanë kërkuar që të anulohet ky vendim, si dhe ka paralajmëruar se do ta dërgojë këtë çështje të kapjes së institucioneve edhe në Kuvendin e Kosovës. /Reporteri.net/.
Reagimi i plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur me vëmendje procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës; në veçanti pas shqetësimeve të ngritura për politizim të përzgjedhjes nga organizata vendore e ndërkombëtare që nga shpallja e konkursit.
Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit.