Legalizimi i objekteve në Prizren, sfidë kompletimi i dokumentacionit
Komuna e Prizrenit për këtë vit kalendarik nga janari deri në maj, ka marrë 60 vendime për legalizim të objekteve, në listën e pritjes janë 18 lëndë, ndërsa ka pasur zero aplikime, pasi që nga shtatori i vitit të kaluar ligji i legalizimeve është jashtë funksioni.“Numri i lëndëve që kanë aplikuar që nga viti 2019 deri në shtator të viti 2022 faktikisht është 2632 lëndë, numri i vendimeve për legalizim është 1040, numri i vendimeve për listë të pritjes është 168, ndërsa numri i vendimeve të legalizuara apo regjistrim në kadastër është 835”, ka theksuar për RTK-në, Pranverim Berisha, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit.Në listën e pritjes për legalizim janë kryesisht lëndët në zona të veçanta, që presin vendim nga institucionet qendrore.“Ministria e Infrastrukturës duhet të formojë një komision dhe të marrë vendim për këto objekte të cilat janë në listën e pritjes, të legalizohen apo të refuzohen”, ka shtuar ai.
Nga ekipi punues i legalizimeve, Hajri Meleqi, thotë se problemi kryesor me të cilin qytetarët ballafaqohen gjatë këtij procesi është vërtetësia e pronës, ndërsa ndërtimi duhet të jetë para vitit 2018.“Nëse nuk ka dëshmi nga Orto Foto, duhet të ofrojë dëshmi të tjera që kërkohen me ligj në mënyrë që të vërtetojë që objekti është i ndërtuar para viti 2018. Kusht tjetër është të mos ketë probleme pronësore, do të thotë të ketë të rregulluar çështjen pronësore dhe atë grafike”, ka theksuar Meleqi.Për t’u pajisur me dokumentet e legalizuara të pronës së tij, Fetah Ukaj ka pritur gati një vit, por ai në fund është shprehur i kënaqur.“Kam aplikuar në vitin e kaluar me 5.7.2022, do të thotë lënda ka shkuar në procedurë të rregullt, sepse deri më 3 shtator ka qenë afati i fundit. Do të thotë 1 vit kemi pritur, çdo gjë ka shkuar në rregull, jemi të kënaqur”, ka thënë ai.Vlera e tregut të ndërtimeve në objekte të legalizuara në komunën e Prizrenit nga 2019 deri më tani kap shifrën 92.8 milionë euro.