“Lëshoje rrymën, largoje KEDS-in”, “Asnjë cent më shumë”, qytetarët kërkojnë shkarkimin e ministres Rizvanolli
“Duam rrymë e jo arsyetime”, “Asnjë cent më shumë”, “Lëshoje rrymën, largoje KEDS-in”, janë disa prej sloganeve të një grupi qytetarësh që po protestojnë më 27 dhjetor në Prishtinë.Disa protestues u mblodhën pranë ndërtesës së Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), për të protestuar kundër reduktimeve të rrymës për shkak të krizës energjetike në të cilën ndodhet Kosova.Protestuesit bën thirrje edhe për shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Por në këtë protestë nuk kanë marrë pjesë numër i madh i qytetarëve, të cilët pasi protestuan te objekti i KEDS-it, marshuan drejt objektit të Qeverisë.Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë deri 60 ditë.Për shkak të krizës, prej 22 dhjetorit në Kosovë, konsumatorët po përballen me reduktime të energjisë elektrike prej 2 orësh. Megjithatë, disa qytetarë kanë raportuar se po kanë reduktime më shumë se 2 orë.