LETËR PIKËLLUESE NGA VETERANI I LUFTËS

(Një veteran i luftës që u largua nga Kosova, më 7. 10. 2024)

Sot është një ditë shumë e rëndë për mua. Unë po largohem, po ndahem nga atdheu im që dikur i dhashë të gjitha, tash më duhet ta lë vendin tim, për arsye të njerëzve matrapazë që nuk dinë çka është liria dhe si erdhi liria? -ne ishim ata që e sollëm këtë liri me dëshmorë, invalidë e me veteran të vuajtur për këtë vend!

Sot unë i ziu dua ta lë ketë vend, atdheun tim që dikur i fala edhe jetën time. Sot në liri që e sollëm bashkë me shokët e mi dëshmorë, me shokët e mi invalidë e me veteran, sot unë t’ia kthej shpinën, qenka më shumë se vdekje, më pakë se mort!

Po i lë shokët e mi veteran në vuatje dhe mjerim, po i le duke hequr keq për gjërat elementare, në shumë raste edhe për bukë, për një përkujdesje shëndetësore. Sot po i lë këtu shokët e mi, në atdhe. Disa nga shokët e mi jetojnë pa këmbë, pa dorë se ato i humbën gjatë luftës për liri, për liri për ne, juve e për liri të të gjithë shqiptarëve, për liri të Kosovës sonë. Unë po largohem për në rrugët e Evropës, po largohem nga zori (halli), jo nga dëshira.

Kurrë se kam menduar, kurrë se kisha menduar që do të më vjen dita t’ia kthej shpinën tokës që për të luftova, sakrifikova e isha në gjendje edhe jetën më e dhanë. Por sot t’ia kthej shpinen atdheut kjo kurrë nuk ka qenë në mendjen time të të menduar!

Më 07.10.2024 në ora17:00, dua ta lë vendin që i dhamë të gjitha për këtë vend. I dhamë për një shkollim më të mirë, për një shëndetësi më të mirë, për një punësim për të gjithë, e në veçanti atyre që luftuan me pushkë në dorë për liri, jo ata të mbesin duke bredhur rrugëve, e duke mbetur në mëshirën e fatit, e duke mbetur për lëmosh!

Po edhi një ditë e rëndë për ata që e çliruan vendin. Për çlirimtarët në Kosovë, unë jam vetëm një Çlirimtar, jam një njeri i thjesht nga Dëshmorët, nga Invalidet e nga Viktimat e Luftës. Por për një pjesë tjetër, unë jam i përbuzur, i fyer dhe i lenë në skajet e Kosovës, si një i padëshiruar për fatin e keq.

O populli im, unë isha dhe jam e do të jem një çlirimtar, luftëtar i atdheut, i tokës ku ju sot po frymoni të lirë! Unë isha bashkë më ata që luftuan, isha në krahë me ata që sot janë dëshmorë, por mua nuk me deshi vdekja, ajo nuk deshi që unë të bie dëshmor, sa do të isha i lumtur, do të isha në paqe përjetësisht nëse do i kisha mbyllë sytë bashkë më mija dëshmorë të lirisë! Nuk jam i lumtur që jam gjallë, shpirti me dhëmb kur shohë çlirimtarët duke vuajtur, por vuajtja për bukë qenka me e lehtë se sa t’ia kthesh shpinën atdheut, tokës që luftove për të! Këtë o populli im e bëjë nga halli, jo nga dëshira!

Toka ime me fal që po të le! -por dhashë atë që është dashur kur ti e kërkove. Unë isha aty ma pushkë në dorë e duke të mbrojtur! Lamtumirë atdheu im, lamtumirë malet e mia, lamtumirë shtëpia ime, lamtumirë shokët e mi të idealit e të luftës, lamtumurë se unë po shkojë, po iki nga këtu, po iku pë në dhéun e huaj, atje ku dhéu është i ftotë e toka ta çan zemrën në dy pjesë. Atje në mërgim, kurbet! Lamtumirë atdheu im!

Dardani, 2024

/Marrë nga FB,postim i Rudi Berisha/