LETËR TË HAPUR MINISTRISË Së PUNËS DHE MIRËQEN IES SOCIALE –Shkruan; Prof.Hasan Hamëzbalaj

MINISTRIA E PUNËS DHE MIRËQENIES SOCIALE: VARR I ANKESAVE DHE KËRKESAVE TË PENSIONISTËVE

Çështja për të cilën ju shkruaj në këtë mënyrë, duke shprehur njëkohësisht dhe indinjatën time lidhur me të, është mos-angazhimi Juaj në mënyrën e duhur kundrejt një pjese  njerëzish të kësaj shoqërie, të cilët ndihen shumë të lënë anash e të nëpërkëmbur, për të mos thënë të harruar krejtësisht nga shteti, si është puna e pensionistëve kosovarë…

Ju lutem, përpiquni të bëni diçka më të mirë, nëse mundeni, për këtë kategori njerëzish të injoruar e të nëpërkëmbur, të cilët zvarrisin jetët e tyre – të harruar nëpër margjinat e jetës së këtij vendi e të kësaj shoqërie…!

Çështja që më indinjon dhe ju shkruaj në këtë mënyrë, është kjo:

Jam një ish-punëtor arsimi nga Prizreni, respektivisht një mësimdhënës –  tani në pension. Në korrik të këtij viti bëj 2 vjet që kam dalë në pension.

E kur dola në pension, në korrik të 2022-tës, fatkeqësisht nuk i kisha 15 vjet punë para vitit 1999. Arsyeja: Në’ vitet ’90 të shekullit të kaluar ne punonim në një shkollë me mësim në gjuhën boshnjake, në një fshat boshnjakësh, e ku ne jepnim Gjuhën shqipe si gjuhë joamtare. Prandaj, pasi që shkollat e minoriteteve boshnjake e turke kishin pranuar Planprogramet e Serbisë,  ne që NUK pranuam planprogramet e Serbisë, na larguan me dhunë nga puna, dhe mbetëm jashtë rrjedhës 4 vjet. E meqë, me rastin e pensionimit nuk i kishim 15 vjet punë para viti ‘99, sipas atij ligjit absurd, të padrejtë e diskriminues, mbetëm me pensionin e ashtuquajtur “bazik”, thjesht me “ndihmën sociale” prej 100 eurove (megjithëse kisha afër 37 VJET PUNË EFEKTIVE ME DITAR )!

*

Megjithatë, në të 2023-tën , ndodhën zhvillime pozitive:

U bë Një VIT prej datës kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin “e pesëmbëdhjetëvjetëshit para lufte” si të padrejtë dhe diskriminues (14 korrik 2023).

Me vështirësi të mëdha, por, megjithatë, u votua në Parlamentin e Kosovës dhe Ligji për skemën pensionale të korrigjuar (korrik 2023)

Ne që prisnim të na zgjidhej ky problem (fundamental) sa më shpejt dhe sa më drejt që të ishte e mundur, memzi prisnim të na jepej mundësia të parashtronim kërkesat për korrigjimin e këtij ligji absurd.

Në gusht 2023 u bënë aplikimet online.

Në shtator 2023 na u mundësua aplikimi fizikisht (me dokumentacionin përcjellës).

Më 22.11.2023 kompetentët e Entit Regjional për pensione në Prizren – aprovuan kërkesën time dhe ma lëshuan vendimin e pensionit “të korrigjuar” në të cilin vendim aprovohet si stazh pune periudha 01.09.1990 deri më 31.12.1998 – pikërisht koha ku më mungonin 4 vjet KU THJESHT PËR BINDJE POLITIKE isha PËRJASHTUAR ME DHUNË NGA PUNA (1992-1996), dhe bazuar në këtë periudhë (8 vjet e 11 muaj): më ishte rritur pensioni për 60 EURO.

Çuditërisht, këtu më mohohen vitet e mëparshme që kam punuar ( nga 16.09.1981 e deri më 31.12.1989): dhe kjo përvojë si tërësi është: 12 vjet, 8 muaj e 3 ditë.

Si palë e pakënaqur: Bëra ankesë ndaj këtij vendimi dhe e dorëzova pranë këtij ENTI më 21.12.2023. Na u tha se kjo ankesë shkon në Prishtinë, në Ministrinë e Punës e të mirëqenies sociale, Departamenti për Pensione.

Dhe nga 21.12.2023 deri më 01.04.2024:

Dhjetori 2023: 10 ditë

Janari 2024 :   31 ditë

Shkurt 2024i:  29 ditë

Marsi 2024:     31 ditë – kanë kaluar rrafsh: 103 DITë, e përgjigje s’mora DOT (!!!) 

Gjithnjë kam menduar se ata nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale janë nivel më i lartë i shtetit, se nëpunësit janë më të ngritur, më të kuptueshëm, më kompetentë, por edhe më të përgjegjshëm e më të ndërgjegjshëm  POR… se do ta pres një vendim të thjeshtë nga Kjo Ministri 103 DITË këtë kurrë nuk e kam besuar, as nuk kam mundur ta marrë me mend…

Ndërkaq, përvoja e pensionistëve me nëpunësit e Entit Regjional të Pensioneve në Prizren, nuk mund të jetë ndryshe, përveçse – E HIDHUR… sepse – sa më të vogla përmasat e zyrave rajonale të enteve pensionale nëpër qytezat e Kosovës, aq më e madhe burokracia e atyre që punojnë nëpër ato zyra dhe aq më i vogël vullneti i tyre për punë. Aty njeriu më së miri sheh se si jemi populli më jopunëtor dhe me vetëdijen më të ulët shtet-formuese në Evropë. MOSPËRFILLJA E TYRE VRET: Iu vjen rëndë t’i shohin pensionistët, qoftë dhe nëpër korridore, s’i durojnë dot duke pritur para zyrave të tyre, nuk ua sqarojnë gjërat mirë, shohin vetëm si t’i heqin nga qafa, i injorojnë, i përbuzin, ua ngatërrojnë gjërat, në vend se t’ua sqarojnë… dhe kjo arrin gjer në përbuzje nga ana e zyrtarëve të këtij ENTI…!!! 

Prandaj, këtu dua të shtrohet dhe të apostrofohet vetëm një pyetje: Vallë, a nga 100-200 ditë duhet të presë një pensionist përgjigjen për ankesën e bërë për një çështje fundamentale për jetën e tij….?!

Vallë, ka njerëz që punojnë në Ministrinë e Punës e Mirëqenies Sociale, respektivisht në Entin Pensional të Prizrenit, si filial i saj, apo nuk ekziston askush aty…?!  

Pra, njerëzit botën dhe realitetin e tyre e njohin varësisht nga pikëpamja e tyre. Sa e kanë të gjerë diapazonin, aq shohin. Aq njohin.

Atëherë, vetëm mendoni se si e sheh dhe e përjeton shtetin e vet një pensionist, ta zëmë, i cili nuk mund ta shikojë shtetin nëpërmjet drejtorive komunale të Kosovës, as nëpërmjet Ministrive atje lart, apo nëpërmjet Qeverisë, Parlamentit e tjera, se ai as nuk ka qasje në ato nivele të shtetit të vet. Sepse – të vetmen dritare përmes së cilës pensionisti mund ta shohë shtetin, e ka Entin Regjional të Pensioneve në qytetin e vet…  E farë përshtypje do të mund të krijoi pensionisti për këtë shtet, nëse shtetin e sheh përmes Entit Regjional Për Pensione Të Prizrenit? Natyrisht se do ta ketë një përshtypje tepër të keqe dhe shteti i tij do t’i duket si FERR I VËRTETË… sepse do t’i shohë zyrtarët e këtij Enti – injorantë, të pakulturuar dhe agresivë, do të shohë foduj – të ashpër e mizorë, që s’kanë kulturë komunikimi, që janë me ngarkesa tepër të mëdha negative, që i injorojnë pensionistët, s’i dëgjojnë kur ata flasin,  edhe për më keq i përbuzin, i fyejnë… Ashtu që, pensionisti do të krijojë BINDJE:  se shteti që njeh ai është më i keqi, është shtet injorantësh e fodujsh, ku i duhet të presë 100-200 ditë për një përgjigje për çështjet më fundamentale për jetën e tij, se është një shtet ferr, i cili le që atë personalisht nuk po e bën të lumtur, por nuk do t’ia bëjë të lumtur as fëmijët e tij… Një shtet që banorët e vet di t’i bëjë vetëm të mjerë…

Vallë, a ky do të duhej të ishte shteti të cilin e ëndërruam qe 2 mijë vjet…???

Thjesht, Të konstatojmë se:

MINISTRIA E PUNËS DHE MIRËQENIES SOCIALE, bashkë me vartësit e vet në PRIZREN është shndërruar në VARR TË GJALLË PËR ANKESAT DHE KËRKESAT E PENSIONISTËVE ….!!!

Ju lutem, angazhohuni të rregulloni padrejtësitë e parregullsitë e tyre, dhe bëni diçka të mirë për këta njerëz, se njerëzit kanë ahtin e tyre, e ahti i tyre mund t’Ju zë!

2 prill 2024                                                                 HASAN HAMËZBALAJ

                                                              Prizren

P.S.: Të gjitha këto që i them këtu, janë të vërteta, prandaj i them me vetëdije të plotë dhe me përgjegjësi të plotë morale.