Liberalizimi i vizave, rreth 600 mësimdhënës u larguan nga Kosova
Numri i nxënësve që kanë kërkuar dokumentet për të migruar jashtë vendit në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor dhe vetëm dy muaj pas liberalizimit të vizave, ka arritur në 267. Megjithatë, numri më i madh raportohet se është i mësimdhënësve.
Janë afër 600 mësimdhënës të cilët janë larguar jashtë vendit, e ku ka nga ata që dalin edhe pa e lajmëruar largimin nga puna. Ndërsa, nxënsit po kërkojnë flet kalimet me arsyen për bashkimi familjar dhe shkollim në një shtet tjetër.
Nga drejtuesit e Sindikatës së Arsimit dhe disa drejtor të shkollave, kjo gjendje nëpër shkolla po konsiderohet shqetësuese, madje ata theksojnë se nëse vazhdon ky fluks i largimit të nxënësve dhe mësimdhënësve, shkolla në vend do të mbesin të zbrazura.
Vetëm në shkollën fillore “Mihal Grameno”, në Fushë-Kosovë, kanë kërkuar flet-lëshim 75 nxënës dhe një mësuese.
Drejtori i kësaj shkolle, Ismet Gashi tha se këto fletë-lëshime për të lënë shkollën, nuk janë të fundit.
Sipas tij, edhe një numër tjetër i nxënësve janë në pritje të dokumenteve për t’u larguar nga shkolla.
“Shkolla “Mihal Grameno”, kemi 2300 nxënës dhe që nga shtatori e deri para dy jave të fundit, të paktën kemi 75 nxënësë të cilët i kanë marrë dokumente dhe kanë shkuar në botën e jashtme. Në mesin e këtyre nxënësve kemi edhe një mësuese që ka shkuar edhe ajo të jetojë në Gjermani. Këto javët e fundit kemi një paralajmërim, disa prindër të cilët janë duke pritur dokumentet deri sa ata do të pajisen më këto dhe pastaj mund të jetë edhe mundësia që edhe 22/23 nxënës të shkojnë në botën e jashtme.
Shkuarja e nxënësve në botën e jashtme sa është e mirë, është edhe sfiduese sepse gjithë këtë kontribut dhe këtë angazhim të mësimdhënësve të kësaj shkolle dhe punën që e bëjmë këtu, ata nxënës po e marrin me vete dijeninë atje dhe neve si shkollë po na e dëmtojnë cilësinë. Shkuarja atje po e varfëron inteligjencën e Kosovës. Sipas fjalëve janë bashkim familjar se i kanë familjarët e tyre atje dhe shkojnë për jetes më të mirë dhe kanë kërkuar bashkim familjarë”, tha Gashi.
Po ashtu, edhe drejtoresha e shkollës fillore “Gjergj Fishta”, Supije Zhitia ka treguar se numri i nxënësve ka rënë dhe se kanë pasur disa kërkesat për fletë-kalime me arsyetimet për bashkim familjarë jashtë vendit.
“Ndërkaq nga radhët e nxënësve pesë kërkesa, kemi dhënë flet-kalime me arsyetimin që dëshirojnë të bëjnë bashkim familjar me familjet e tyre që jetojnë në botën e jashtme. Sigurisht nuk është e mirëseardhur dhe jo e këndshme që numri të bie, edhe ashtu jemi në tendencë së rënies së numrit të nxënësve por kjo ka qenë shtesë. Liberalizimi në anën tjetër mendoj që nuk është e mirëseardhur, nataliteti ka rënë, për shkolla është brengë”, tha Zhitia për kp.