Ligji i ri i pagave dhe zhvleftësimi i disa neneve nga Kushtetuesja – a do të ketë kompensim për ata që kanë pasur ulje të pagës?
Një muaj më parë Gjykata Kushtetuese kishte dhënë një Aktgjykim në lidhje me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, që ishte miratuar në vitin 2023. Kushtetuesja rrëzoi disa prej neneve të Ligjit që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri të pagave në vitin 2023 disa paga të zyrtarëve publikë dhe shërbyesve civilë ishin ulur.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e ku janë shpallur të pavlefshme disa nene si pritet të procedohet me pagat që janë ulur, a do të ekzekutohet diferenca e pagës?
Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi ka thënë se ulja e pagave për të punësuarit në sektorin publik, përjashtimisht anëtarëve të shërbimit të jashtëm, nuk ka pasur implikime deri më tani.
Shala sqaroi se bazuar në nenin 41 të Ligjit për pagat në sektorin publik, të punësuarve në sektorin publik të cilëve u është ulur paga përmes këtij Ligji, kanë marrë shtesën tranzitore deri në nivelin e pagës që kanë pasur para hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nënvizon se kjo shtesë duhet të vazhdoj pafundësisht, deri në momentin kur vet ngritja e koeficientit e barazon pagën që këta zyrtarë kanë pasur para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik”, ka thënë ai.
Gjatë prononcimit Shala potencoi se specifike në këtë rast janë dy kategori të të punësuarve në sektorin publik: anëtarët e shërbimit të jashtëm dhe të punësuarit pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, të cilët nuk kanë përfituar nga kjo shtesë tranzitore.
Sipas Gjykatës, ai tha se këto kategori do të përfitojnë në të ardhmen nga kjo shtesë tranzitore.
“Por, në mes të të dy këtyre kategorive, ka një dallim lidhur me aplikimin retroaktiv. Në kuptim të paragrafit 384 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e shërbimit të jashtëm përfitojnë në mënyrë retroaktive të gjitha të hyrat që u janë zbritur nga momenti i hyrjes së Ligjit në fuqi deri në momentin e nxjerrjes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Mirëpo, për dallim nga çështjet e tjera, Shala se tregoi se “IKD vlerëson se mos zbatimi i retroaktivitet në rastin e të punësuarve në sektorin publik pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik paraqet lëshim nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Kjo për faktin se vet Gjykata Kushtetuese në paragrafin 361 të aktgjykimit në fjalë theksoi se në këtë rast kemi të bëjmë me trajtim të pabarabartë.
.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html Kështu, edhe aspekti i retroaktivitet, do duhej të trajtohej në kontekst të barabarësisë dhe jo në kontest të pritjeve legjitime, si element i së drejtës në pronë. Kjo pasi që nga hyrja në fuqi e Ligjit e deri më tani, kjo kategori ka kryer punën e njëjtë sikurse kolegët e tyre, por pagat i kanë pasur më të ulëta. Edhe nëse nuk kanë pasur pritshmëri legjitime për pagë më të lartë, kanë kryer punën e njëjtë sikurse kolegët e tyre që kanë këtë pagë. Andaj, mos njohja e retroaktivitet në këtë rast cenon trajtimin e barabartë të të punësuarve në sektorin publik.
Sidoqoftë, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka fuqinë ekuivalente me normën kushtetuese dhe si i tillë edhe duhet të zbatohet”.
Një burim (emër i njohur për redaksinë) brenda MPJD-së ka thënë për Telegrafin se vendimi i i Gjykatës Kushtetuese mbi Ligjin e pagave në përmbajtje ka afirmuar vendimet paraprake të gjyqësorit mbi çështjen e rregullimit të pagave.
“Njëkohësisht vendimi i’u ka dhënë të drejtë shqetësimeve të mbi 100 subjekteve të cilat ankimuan pranë institucionit të Avokatit të Popullit, e të cilat rezultuan me dërgimin e Ligjit të ri të pagave për vlerësimin e kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë burimi.
Sipas këtij burimi: “Në opinionin tim, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është brilant në dy drejtime. Së pari, ka evituar një situatë të nulifikimit të punës së ekzekutivit, duke e shmangur çdo tendencë dhe potencial për polarizim social apo instrumentalizimin politik nga kushdo. Kjo u bë duke i dhënë drejtë qeverisë në përpjekjet për nivelizim dhe rritje të pagave për disa sektor, aty ku ato u rritën. Së dyti, në lidhje me uljen e pagave, Kushtetuesja i dha mundësi një korrigjimi legjislativ në proces. Pra, mbrojti jo vetëm të drejtat e njeriut, të zyrtarëve të garantuara me Kushtetutë dhe ligje, por edhe interesin publik, në këtë rast legjislativ. Për më shumë i dha edhe kohë dhe qartësi qeverisë, se si të bëhet kjo. Sipas vendimit ky korrigjim ndodhi përmes rrëzimit të disa neneve specifike”.
Ky burim po ashtu tha se aktgjykimi ka prodhuar një situatë ligjore dhe obligative, ku për cilindo që i është ulur paga, Qeveria dhe institucionet tjera obligohen që të ekzekutojnë pagën bazë dhe shtesën e plotë, tanimë të paafatizuar tranzitore.
“Pra atyre që iu është ulur paga rezulton t’ju kthehet, së paku në nivelin siç e kanë pasur me Ligjin pararendës. Kjo duhet të ndodh në fund të shkurt 2024, dhe njëkohësisht për zyrtarët që kanë qenë në marrëdhënie pune gjatë kohës së ligjit pararendës, duhet të marrin kompensimin retroaktiv të diferencës së humbur përgjatë muajve prej kur ka hyrë në fuqi ligji i ri.
Për t’i rënë shkurt, Qeveria duhet të pajtohet se nuk mund të ulë pagat, përpos se në dy rrethana specifike, duhet të kthej pagat në nivelin e para uljes, dhe duhet të ekzekutoj shumën retroaktive”.
Por, sipas burimit nëse kjo nuk ndodh nga ana e Qeverisë, atëherë do të ketë padi individuale, gjithnjë nga qytetarë dhe zyrtarë të shtetit të së drejtës.
“Në fund të ditës, cilatdo që kanë qenë impulset për uljen e pagave nga vendimmarrësit në qeveri e kuvend, e bukura e këtij procesi është që kjo është qeveria e parë e cila me ligjin e ri, që duke ua shkelur të drejtat zyrtarëve, në njëfarë forme ka kursyer mjete financiare për ta, dhe tani do t’ua kthej”, ka thënë një burim brenda MPJD-së.
Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës ka thënë për Telegrafin se në Ligjin e ri të pagave ishte paraparë që gjatë vitit të parë, që i bie gjatë vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2024, punonjësit ta marrin pagën e plotë ashtu siç në Ligjin paraprak.