Ligji i ri ul pagat në drejtësi, ky është koeficienti për gjyqtarët dhe prokurorët 
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për paga në sektorin publik. Me këtë projektligj Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i kthejë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sikur para rritjes që ishte bërë me vendim të Qeverisë Haradinaj në vitin 2017.Kryeministri Kurti, ka thënë se me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, shkruan Reporteri.net. Rreth 800 euro pritet të jetë vlera e zbritjes së pagës për gjyqtarët dhe prokurorët.Me Ligjin e ri për paga, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do ta ketë koeficientin 17.5, ndërsa një gjyqtar i kësaj Gjykate do ta ketë koeficientin 16.4, aq sa do ta kenë ministrat dhe deputetët.Kryetari i Gjykatës Supreme do ta ketë koeficientin 17, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, 16.5, ndërsa një gjyqtar i Supremes do ta ketë koeficientin 15.5. Kryeprokurori i Shtetit do ta ketë koeficientin 17, kryesuesi i Këshillit Prokurorial 16.5. Njohësi i zhvillimeve juridike, Betim Musliu, ka thënë se ky vendim është skandaloz dhe shkatërron sistemin e drejtësisë si dhe legalizon korrupsionin.“Vendimi i fundit i Qeverise Kurti eshte vendim skandaloz qe e shkaterron sistemin e drejtesise – edhe ashtu te lodhte, eshte vendim qe e shkaterron sigurine juridike, eshte vendim qe perfundimisht e legalizon korrupsionin ne sistemin e drejtesise. Eh tash kredite e nje pjese te gjykatesve dhe prokurorve paramendone qysh kane mu pagu?! Tmerr!”, ka shkruar ai në Facebook. Ndërkaq Ehat Miftaraj nga KDI ka thënë se vendimi i Qeverisë për uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshem dhe nuk do të gjejë zbatim “Një jurist me njohuri elementare e din se vendimi i Qeverisë per uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshem. Ky vendim nuk ka me gjetë zbatim. Nuk mundet mu zbatu nje vendim i kunderligjshem. Më vjen keq per Kryeministrin Kurti për nivelin e njerëzve që e keshillojne në çeshtje te drejtesise. Keta nuk ia dojne te miren Kryeministrit. Te njejtit nuk duhet me vene ne situata te tilla Kryeministrin”, ka shkruar Miftaraj.