Linçimi Mediatik i Bedri Halimit, kush bartë përgjegjësi?-Shkruan ;Ylber Hasani

0

                    Me 6 Janar 2022 mediat në Kosovë patën si kryelajm arrestimin e kryeinspektorit te ministrisë së Mjedisit te Republikës së Kosovës Bedri Halimi, me urdhër të prokurorit Rasim Maloku nga Ferizaj. Qështja në të cilen prokurori e involvon Bedri Halimin, ka të bëjë me ndërtimet e paligjshme në Brezovicë, ku kohë më parë është arrestuar krytari i komunës se shtërpcës, leje-dhënësi i këtyre ndërtimeve. Bedri Halimit i është caktuar paraburgim prej një muaji, me pikërëndesë të akuzës në „mosveprimin ndaj ndërtimeve në parkun nacional te sharrit“, por jo për marrje ryshfeti apo korrupsion. Pompoziteti i këtij arrestimi është unik deri më sot në Kosovë, dhe i vetmi në këtë lëndë gjyqsore. Prokurori ka të drejtë të hulumtojë e akuzojë, por a ka të drejtë ai që të dyshuarin, pra akoma të pashpallurin fajtor, ta diskreditoj publikisht e ta linçoj mediatikisht? A është e drejtë kjo? A mbanë dikush përgjegjsi në këtë rast?

Nëse jo, nuk është për tu habitur nëse edhe për ndërtimet jo-ambientdashëse, ta zëmë në qytetin e Ferizajt, ndonjë ditë me diell, të gjindet ndonjë njeri që <nuk ka vepruar> edhepse ato ndërtime mund të shihen edhe nga dritaret e prokurorisë së Ferizajt dhe zgjasin me vite, si në të gjitha qytetet e Kosovës. Edhe Brezovica nuk është shum larg nga aty…  E ta kuptosh se çfarë këto ndërtime i kan bërë ambientit, aty ku njerzit jetojnë përditë, nuk duhet të jesh as nga Parisi dhe as ekspert ambienti. Dhe sipas kësaj logjike, dikush, edhe nga rradhët e prokurorisë së Ferizajt do të mund të prangosej me linçim mediatik e pompozitet, <për mosveprim> “nën mjegullnajen“ e luftimit të korrupsionit, sepse faktet ta vrasin syrin nga dritaret e prokurorisë për çdo ditë të lume, fakte kto shumëkateshe. Shpresoj që jo, sepse kohët e <Kadive> do të duhej të kishin marrë fund, edhe në Kosovë.

Kryelajmi i 6 Janarit, u përcoll me pamje visuale ku Bedri Halimi i prangosur po shoqërohej nga hetuesit e policisë së Kosovës. Kërshëria mediatike dhe “etja për lajm“ bënë që pamja e tillë të marrë vëmendje të madhe. Prej se <luftimi i korrupsionit> është bërë pjesë e fjalorit medial dhe politik në Kosovë, nuk ka pasur ndodhi më me pompozitet medial sesa dalja e zyrtarit(Bedri Halimi) të lidhur me pranga nga ndërtesa e qeverisë. Përshtypja e krijuar me pompozitetin medial, është sikur u gjet “kulçedra” e korrupsionit, dhe ky pompozitet është i vetmi në këtë lëndë gjyqsore. Po cili u arrestua atë ditë? Bedri Halimi, një ish i burgosur politik, për shumë vite pa të drejtë studimi, i torturuar rëndë nga policia sërbe(me pasoja shëndetsore që i bartë edhe sot), pjesmarrës aktiv i luftës çlirimtare dhe autor i disa librave. Më tutje një njeri që pothuajse nuk posedon fare pasuri materiale, çiraxhi në Prishtinë nga viti 1999 e që bën një jetë tejet modeste vetëm nga paga e tijë, gjë që verifikohet shum lehtë.  Shpresoj që numri i atyre që në këtë rast do të thonë <kurgjo s’koka puna tij, vet tu’koka fajtor> te jetë i vogel, por nuk jam i sigurt!

Kjo nuk është hera e parë që Bedri Halimi bëhet një lloj “Kampioni“ tragjik. Për herë të fundit është bërë i tillë në vitin 1997, si një ndër shqiptaret më të torturuar nga policia sërbe ne Kosovën e paraluftës. Atëbotë, pompoziteti publik ishte i kufizuar vetëm në një raport të KMLNDJ-së dhe 2-3 rrjeshta të QIK-ut. Premisa “Kampioni“, ka edhe për faktin që arriti ti mbijetoje torturimit fizik disaditor saqë policia serbe e hodhi ashtu të torturuar në rrugë, duke llogaritur se nuk do të ja dilte. Pasoja shëndetsore që nga ajo kohë ai bartë edhe sot.

Duke qëne jo vetëm familjarisht i afërt me Bedri Halimin, do të kisha shumçka për të treguar për të si atdhetar, intelektual dhe autor librash, por në kujtesën time, Bedriu dhe prangat në duart e tij zënë vend të veçantë. Në vitin 1981, unë si 10-vjeçar, duke pritur para burgut te Prizrenit së bashku me nënën time të ndjerë, në vizitën e rradhës vëllaut tim të burgosur si <nacionalist e irredentist>, pashë se nga një automobil aty pranë, dy inspektorë e nxorren Bedriun(nxënës të vitit të 3-të të gjimnazit) të prangosur. Instiktivisht kam dashur ti afrohem. Mbaj mend lëvizjen e dorës së tij si shenjë <mos u afro> dhe ngjyrën rëndë-të-përhimtë të prangave në duart e Bedriut. Atëbote, përjashto gjykimin, ku u publikuan ca rrjeshta me numrat e viteve burg të dënimit dhe epiteteve nacionalist e irredentist, burgosja e tij pati zero pompozitet medial.

Tani në vitin 2022, 40 vite më pas, në Kosovën e lirë bile edhe shtet të pavarur e sovran, Bedri Halimit, tani më afër te 60-tave, iu dha rasti e “nderi” që së paku njëherë në jetën e tij të prangoset me pompozitet duke vrapuar pas tij gazetarë e kameramanë. Bile bile, kësaj rradhe prangosja nuk do të përcillej me tortura çnjerzore fizike të “majstorve” sërb të zanatit, çfarë favori! Mbase ia kishte borgj Kosova njëherë edhe Bedri Halimit “dajret“ e pompozitetin, por a ja ka ai borgj dikujt denigrimin publik të personit dhe personalitetit të tij? -Jo!

Goca dhe çuna gazetarë, Bedri Halimi pas të cilit vrapuat për t‘i marrë imazhe të duarve te prangosura, pasuri të vetme, jetësisht të ligjshme, ka emrin dhe të kaluarën e tij. Ju atë ditë, pa fajin tuaj ia cenuat ato në emër të (ende)farsës së luftimit të korrupsionit. Faji për këtë mëkat tuajin, është i atyre që atë ditë duke ju ftuar tinëzisht, ju vendosen ne rolin e dajrexhive në këtë <gjymrysh> katundi. Por këtë mëkat ndaj Bedri Halimit, do ta zhbënit sadopak nëse ndershëm shtetit të Kosovës, do të ja paguanit tatimin nga të ardhurat tuaja. Bedri Halimi ia paguan ato nga paga e tij modeste deri në cent, kurse themeleve të tij ia ka paguar me duart, trupin dhe shpirtin e tij. Më tutje ju takon të përcillni edhe reagimet publike dhe zhvillimet e më tutjeshme reth tij.

Denigrimi i një njeriu, që lehtë-vërtetueshëm, nuk ka krijuar thuajse asnjë pasuri të patundshme materiale, në emër të luftimit të korrupsionit, është së paku një tentim-vrasje e personalitetit të tij. Ata që orkestruan këtë skenar ndaj Bedri Halimit, kan bërë edhe një shkelje tjetër të rëndë, kan „pshtyrë“ në sakrificat e tij që nga rinia e hershme që në thelb jan produkt i vetmbrojtjes se dinjitetit njerzor. Duke e bërë e këtë veprim, lufta e shumë-nevojshme kundër korrupsionit në kosovë ka marrë edhe një goditje pikërisht nga ata të cilët do të duhej ta bënin atë luftë.

Të jet ky veprim një lajthithtje juridike apo veprim i qëllimshem ndaj Bedri Halimit? Mbajtja në paraburgim për një muaj, me aktakuzë të „mosveprimit ndaj ndërtimeve në parkun nacional te sharrit“, pa rrezikun e ikjes së të akuzuarit, flet për një defekt të rëndë të këtij veprimi. Kur kësaj i shtohet edhe pompoziteti i orkestruar medial (ndaj të vetmit të arrestuar në këtë lëndë dhe i cili zyrtarisht nuk ka aktakuzë korrupsioni!), kjo tanimë kundërmon. Apo mbajtja në paraburgim shërben për ta arsyetuar denigrimin publik të Bedri Halimit dhe që më vonë, për ta arsyetuar paraburgimin mund të pasojë edhe dënimi!?  Apo realizuesit e këtij skenari kanë nevoje urgjente të arsyetohen se po e luftojne korrupsionin qoftë edhe me çmimin e denigrimit të një njeriu të pakorruptuar?! , sidoçoftë <Kadiu> e di më mirë këtë punë…

Të gjithë ata që e njohin sadopak nga afër Bedri Halimin, dhe të tillë nuk janë pak, e kanë të qartë, se ai jo që nuk është i korruptuar, por përkundrazi, është ana tjetër e medaljes. Ndaj tij, me arrestimin e vetëm në këtë qështje me <linçim medial>, është bërë një krim, jo fizik siç kanë bërë ndaj tij pushtesit sërb të Kosovës, por më i rëndë, i njollosjes së dinjitetit të tij njerzor.

Deri me 6 Janar Bedri Halimit i mjaftoj pasuria e emrit, dinjitetit dhe disa librave të shkruara, e atë ditë iu cënuan rëndë ato! Të jetë ky vetëm një “keqpërdorim i autoritetit, respektivisht i pozitës zyrtare“ nga skenaristët e këtij denigrimi me pompozitetit të Bedri Halimit? Më duket se jo! Por nëse askush tjetër, <Kadiu> e di këtë punë… Sidoçoftë e vërteta mund të vonoj por jo të mungoj! E lajmi i mirë është se në instancë të fundit, të gjithë ne jemi prokurorë dhe gjykatës të vetvetes, pa përjashtim./qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *