Lirohet nga akuza ish-drejtori i administratës në Prizren, Ilir Baldedaj

                             Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-drejtorit të administratës në Prizren, Ilir Baldedaj, i akuzuar për veprën penale të keqpëdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.Shpallja e aktgjykimit, u bë të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi.Gjykatësja Skenderi, tha se për të akuzuarin Baldedaj merr aktgjykim lirues, pasi që me asnjë provë nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.Tutje, ajo tha se për rastin konkret nuk është kontestuese se i akuzuari Baldedaj ka parashtruar kërkesë për projektin “Furnizim me softwer digjital” dhe për projektin “Arhiva elektronike”.Po ashtu, ajo tha se nga deklarata e dëshmitarëve është vërtetuar se në vitin 2016 dhe 2017 jo vetëm Komuna e Prizenit po asnjë institucion qendror dhe asnjë institucion lokal nuk kanë bërë kërkesë për miratimin e projekteve në Agjencionin për Shoqërinë e Informacionit.Gjithashtu, gjykatësja Skenderi tha se te i akuzuari Baldedaj ka munguar edhe dashja në veprimet e tij.Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.Ndryshe, sipas pikës një të aktakuzës, thuhet se prej muajit mars, e deri në fund të vitit 2016, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.Tutje, në aktin akuzues thuhet se i akuzuarit Baldedaj ka vepruar në atë mënyrë që pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, e cila është kompetente për shqyrtimin e kërkesave, propozimin, buxhetin për realizimin e kërkesës dhe implementimin e kërkesës, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Furnizim me Softwer digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.Aktakuza thotë se vlera e tenderit ka qenë 24 mijë e 735 euro, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, duke mos respektuar procedurat e parapara me Ligjin nr. 04/L-145, për organet qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, përkatësisht paragrafin 4 dhe 5 të nenit 8 të këtij ligji, me të cilin përcaktohen kushtet e bërjes së investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, projekt ky që prej ditës së implementimit nuk është funksional, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkakton dëm në shumën prej 28 mijë euro.Në pikën dy të aktakuzës thuhet se gjatë vitit 2017, në Prizren, i akuzuari Baldedaj, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.Kështu që në atë mënyrë, aktakuza thotë se duke ditur se ekziston Arkiva Qendrore, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, paraqet kërkesën për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”.

Në akzakuzë thuhet se vlera e këtij projekti ka qenë 72 mijë e 898 euro e 98 centë, duke mos respektuar procedurat e Ligjit nr. 04/L 145, projekt ky jofunksional që nga dita e implementimit, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkaktohet dëm në vlerën prej 72 mijë e 898 euro e 98 centë, ku shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar është 100 mijë e 898 euro e 98 centë.Me këto veprime, Ilir Baldedaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi