Lojërat e fatit s’mund t’i ndalë as ligji: Bastisje në një lokal në Prizren, policia kap në flagrancë 8 persona

Bixhozi i paligjshëm po sfidon shtetin. Aktivitete të tilla të organizimit të lojërave të fatit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm, raporton Gazeta Sinjali.Një aksion i Policisë i zhvilluar mbrëmë në rrugën “Petrit Bytyqi” në Prizren rezultoi me zbulimin e një lokacioni ku dyshohet se organizoheshin lojëra të fatit, me ç’rast Policia ka kapur në flagrancë 8 persona.Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari kryesor ishte pronari i lokalit, ku bashkë me të dyshuarit e tjerë po zhvillonin aktivitete të tilla të paligjshme. Policia ka kryer bastisje në këtë lokal dhe ka gjetur pajisje që shfrytëzohen për organizimin e këtyre lojërave.Pas përfundimit të bastisjes, dëshmitë janë sekuestruar, ndërsa personat e dyshuar janë dërguar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. Ndaj pronarit të shtëpisë është nxjerrë vendim për inicimin të rastit, kurse personat e tjerë që u kapën janë lënë të lirë.Kujtojmë se ka pasur shumë raste kohëve të fundit kur Policia ka zbuluar se në lokale të ndryshme, në disa qytete e fshatra janë organizuar lojëra të tilla.