Lul Raka: Fituesi kryesor i zgjedhjeve në Kosovë është coronavirusi

0

Mikrobiologu Lul Raka, në një shkrim përmbledhës për situatën pandemike tash e një vjet që mbizotëroi në botë, duke ia vërë theksin Kosovës, ka thënë se fituesi kryesor i zgjedhjeve parlamentare të Kosovës është koronavirusi, duke konsistuar në përhapjen e madhe të tij në fushata zgjedhore.Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ardhja e pandemisë në vend tregoi gjendjen e sistemit shëndetësor në vend, derisa i lavdëroi punonjësit shëndetësor për punën e tyre deri më tani.Raka e ka parë vaksinën si formën e vetme të eliminimit të koronavirusit dhe rikthimit në normalitet.

Postimi i tij i plotë: 

COVID 19: LUFTA E PADUKSHME

PANDEMITË JANË RREGULL – JO PËRJASHTIM

Mikrobet janë pjesë e pandarë e jetës sonë. Në trupin tonë kemi 10 herë më shumë mikrobe sesa qeliza tonat. Nga certifikatat e tyre të lindjes, bakteret kanë moshë miliardëshe, kurse viruset nja 300 milionëshe. Janë këtu denbabaden shumë para nesh duke na rikujtuar se pandemitë kanë qenë dhe do të jenë pjesë përbërëse e njerëzimit. Madje, ato kanë qenë rregull, dhe jo përjashtim.Bota ka hyrë në vitin e dytë të përballjes me një pandemi të paparë nga një virus i padukshëm në formë kurore. Një armik që nuk e shohim me sy edhe pse në një maje të gjilpërës mund të ketë vend për 100 milionë grimca të këtij virusi. Me familjarët e tij u njoftuam që prej vitit 1964 nga një vajzë skoceze. Ato nuk i mori askush aq seriozisht sepse shkaktonin një flamë të zakonshme.Por, në fillim të shekullit të ri, ato bënë kryengritje duke shkaktuar sëmundje të rëndë të mushkërive të cilat i njohëm shkurt si SARS, e më vonë edhe si MERS. Në të dy rastet e epidemive burimi i infeksionit vinte nga kafshët. Lakuriqët, macet, devetë dhe shumë kafshë tjera mbase na tregonin se e kemi tepruar me shkatërrim të shtëpisë sonë – planetit tokë, por ne vazhduam me mospërfillje.Në lajmet e vitit të ri lexuam për përhapjen e një sëmundjeje nga një virus i paidentifikuar në Vuhan të Kinës. Njerëzimit ia kishte ënda të mendonte se ky problem është larg dhe do të ndalej vetvetiu siç ndodhi herën e parë me SARS-in.Shpejt do të trokiste edhe në dyert e shtëpive tona. Virusi i ri ishte plot të panjohura dhe na zuri në befasi. Nuk kishim dëgjuar më parë që sëmundjen e përhap dikush që s’ka fare shenja e simptoma të sëmundjes. Aftësia për t’u fshehur i dha këtij virusi një biletë udhëtimi për në mbarë globin.Origjina e virusit e ndezi zjarrin e konspiracionistëve, sipas të cilëve virusi ishte punëdore që doli nga një laborator virologjik. Shkenca thotë se shfaqja e SARS-CoV-2 ndërlidhet edhe me ndryshimet klimatike që ndikuan në shpërndarjen e lakuriqëve në Kinë dhe shtetet përreth. Kërcimi nga lakuriqët tek njerëzit ka të ngjarë të përfshijë një strehues të ndërmjetëm, siç janë disa kafshë që shiten në tregjet e Kinës. Kryesorja, ne virusin e kemi në shtëpi dhe tashmë po përballemi me të duke lënë anash zhurmën e debateve të origjinës së këtij armiku të padukshëm.

BOTA NUK ISHTE GATI

Pandemitë mbjellin frikë, shqetësim e kaos. Kjo sfidon kapacitetet e përballljes dhe menaxhimit të krizës. Bota nuk ishte e përgatitur për një përgjigje të shpejtë e të bashkërenditur. Në vend të bashkëpunimit, superfuqitë kërkonin fajtorin kujdestar në taborë të tjerë. Nuk mësuan nga historia, kur në kulmin e luftës së ftohtë, bashkimi i dy superfuqive për një qëllim shëndetësor arriti që ta zhdukë nga faqja e dheut një sëmundje të rëndë e vdekjeprurëse – linë e madhe, e cila në Evropë së fundi u pa në Kosovën e vitit 1972.Shtetet që e kishin përjetuar SARS-in në fillimin e shekullit tonë kishin reagim shumë më efikas ndaj pandemisë (Koreja e Jugut, Japonia, Singapori). Popullata e tyre kishte mësuar leksionin e disiplinës parandaluese kundër viruseve, kurse qeveritë kishin investuar shumë në shëndetin publik. Nga bota pamë edhe gjithfarë shembujsh tjerë: disiplinën ushtarake kineze, gatishmërinë milimetrike gjermane, eksperimentet me imunitet të tufës nga Suedia, injorimin e plotë nga Brazili, goditjen e Italisë dhe mungesën e solidaritetit përbrenda shtëpisë së BE-së, karantiminin radikal në Zelandë e Australi, qasjen amerikane me program të mirë por zbatim të keq, kurse pjesa tjetër e botës kishte specifikat e veta dhe përballej me çka kishte në dorë.

Përgjigja ndaj pandemisë ndoshta duket e thjeshtë dhe vlen për çdo sëmundje ngjitëse: diagnostikoni menjëherë, izoloni të sëmurin, gjurmoni kontaktet, testoni dhe menaxhoni rastet e sëmundjes. Kësaj menyje i shtohen edhe koordinimi në të gjitha nivelet, informimi dhe përfshirja e popullit, kontrolli i kufijve, masat parandaluese dhe logjistika. Për dallim prej fletëve të librit, në botën reale secila prej këtyre hallkave është sikur gur Sizifi, që mund të shtrembërojë kurrizin e liderit, punëtorit shëndetësor dhe shëndetin mendor të çdo njeriu.

KTHIMI I HIPOKRATIT

Pandemia e zhveshi nudo sistemin shëndetësor jetim të Kosovës. Nga paslufta të gjithë vendimmarrësit e kishin gojën plot me shëndetësi, por në tortën e buxhetit shëndetësia ushqehej vetëm me trosha. Fatura erdhi me mungesa në barna, cilësi, kushte dhe besim tek mjeku e mjekësia.Por, pandemia nxori në pah edhe një shtyllë dhe vlerë që i qëndroi stuhisë – punëtorin shëndetësor.Një armatë njerëzish që ktheu besimin tek mantelbardhët dhe tregoi se Hipokrati ende merr frymë në këto treva. Njerëz që i dolën përballë virusit, kur gjithë të tjerët iknin prej tij. Punëtorë, të cilët për shumë kohë nuk ndjenë ngrohtësinë e përqafimeve të fëmijëve dhe prindërve të tyre. Nuk u ndalën as kur u duartrokitën nga ballkoni, as kur u shanë nga salloni e as kur u grushtuan në vendin e punës. Edhe pse të lodhur e të dërrmuar ata vazhdojnë tutje si marathonomakë. Shumë tjerë iu ngjitën këtij karvani, duke filluar me vullnetarë dhe me të gjithë përfaqësuesit e shërbimeve esenciale në vend. Në këtë betejë pati edhe plot të tjerë që jepnin leksione nga lozhat e ngrohta të kullave të tyre, por tashmë punëtorët shëndetësorë ishin të zënë me punë për të dëgjuar fabulat e tyre.

SËRISH VJEN MARSI

Erdh marsi me rastet e para; me frikë, panik dhe masa restriktive që nuk janë aspak të popullarizuara, por mbrojnë jetë. Karantina ishte përgjigja e parë. Në kohën kur mbylleshin superfuqitë botërore; kur s’kishim teste e pajisje të mjaftueshme mbrojtëse as për punëtorë shëndetësorë; kur virusi kishte shumë të panjohura dhe përhapej nga persona pa asnjë simptomë; kur s’kishte ilaç as vaksinë; kur assesi nuk donim që mjeku të jetë mes dilemës se kush do të futet në respirator e kush do të vdesë në korridor; çfarë zgjedhje tjetër kishim?Pas lirimit të parë të masave menduam se u kthyem në jetën normale – pa zbatim masash e pa inspektim, por e paguam shtrenjtë. Vjeshta, rihapja e shkollave, kthimi në hapësira të mbyllura e shtuan edhe një valë në lakoren statistikore. Festat e fundvitit e sollën variantin britanik në Kosovë. Ai bashkë me paraardhësin e vet u pritën ngrohtësisht nëpër tubimet partiake zgjedhore e parazgjedhore dhe mund të dalë fitues kryesor i zgjedhjeve. Kjo lëndoi rëndë besimin e ndërsjellë mes popullit dhe prijësve.Baraspesha mes shëndetit, ekonomisë dhe të drejtave të njeriut ishte shumë e brishtë. Bashkë me shëndetin publik e individual, virusi preku rëndë edhe sofrën e çdo shtëpie dhe shumëzoi pabarazitë e të gjitha ngjyrave. Shumëkush humbi pasurinë, punën, të nesërmen. Këto mund të shprehen me numra. Por, jeta jo. Nuk e ka asnjë çmim. E drejta për jetë është para asaj për lëvizje të lirë bashkë me të gjitha të drejtat tjera simotra. Shëndeti mendor vazhdon të goditet çdo ditë, nga të gjitha drejtimet me fëmijë e gra që bartin barrën më të rëndë.Long covid, mutacionet e riinfeksionet shpesh godisnin vëmendjen e njerëzve në risitë e Covidit. Në skenën tonë, drama politike që u luajt përbrenda asaj pandemie ishte një barrë shtesë në kurrizin e punëtorit shëndetësor.Disa dijetarë propozonin “imunitetin e tufës” si model të vetëm të reagimit ndaj pandemisë përmes vetë ekspozimit ndaj virusit. Por harronin se për Kosovën, kjo mund të thoshte deri 12.000 vdekje. Për këta strategë, ata që do merrte virusi me vete janë dëme kolaterale të pritshme në çdo pandemi. Nuk ka asnjë sëmundje në histori që ka pasur përgjigje të tillë.

INFODEMIA

Sjellja e individit në shoqëri është çelësi për të mposhtur virusin. Duke mbrojtur veten, mbrojmë të afërmit dhe vetë njerëzimin. Prandaj, informata e saktë dhe burimet e sigurta të informimit janë qenësore në pandemi dhe fitorja vjen vetëm atëherë kur ta njohësh dhe kuptosh armikun tënd.Infodemia u quajt pandemia e frikës dhe panikës, të cilat u përhapën shumë më shpejt sesa virusi. Rrjetet sociale ishin ideale për lajme të rrejshme, konspiracion dhe spekulime. Qarkullonin gjithfarë teorish për Iluminatin, Bill Gejtsin, OBSH-shejtanin, 5G që kishin një emërues të përbashkët – s’ka virus! Ky numër njerëzish, që kryesisht studiojnë makiaton, nuk është pakicë dhe kundërshton me ngulm “çipat” që do t’ua kontrollojnë mendjet e tyre të ndritura. Logjika e “hajtit” kushtoi me infektime e vdekje të reja.Përballë tyre janë përplot kryefamiljarë, që me xhepat zbrazët por zemrën plot mbrojtën familjen duke dëgjuar këshillat për të qëndruar në shtëpi dhe zbatuar treshen e masave parandaluese: distancë, maskë dhe higjienë të duarve.Të gjitha veprimet e ndërmarra për adresimin e sfidës së COVID-19 duhet të bazohen në shkencë. Te pandemitë, përafrimi mes shkencës e politikës mund të jetë i vështirë. Bota pa plot shembuj bizarë kur krerë shtetesh mohonin sëmundjen, apo sugjeronin përdorimin e varikinës për mjekim. Tanët e kanë dëgjuar shumë mirë shkencën, ndonjëherë janë fshehur pas saj e rrallëherë kanë dalë nga orbita shkencore.

NACIONALIZMI VAKSINAL

Vaksina është drita e vetme në fund të tunelit, me të cilën fillon rrugëtimi i gjatë drejt normalitetit. Asgjë në historinë e parandalimit të sëmundjeve nuk pati rol më të madh sesa vaksina dhe sigurimi i ujit të pastër për pije. Në vendet e pazhvilluara, vetëm në 20 vitet e fundit, vaksina shpëtoi 37 milionë jetë njerëzish, kryesisht fëmijë nën 5 vjeç. Xheneri, sikur të udhëtonte sot në kohë, që i bie diku rreth 225 vite, do të tmerrohej me rrymat e njerëzve që janë ngritur kundër vaksinës. Sot, kur vaksina u gatua me një shpejtësi, po ashtu pandemike, refuzimi i saj përbën kërcënimin më të madh për shëndetësinë dhe njerëzimin.Pabarazitë në sigurimin e vaksinave treguan fytyrën e vërtetë të nacionalizimit të vaksinave, në vend se të ishte internacionalizëm. Japonia, Kanadaja e Australia kanë në total rreth 200 milionë banorë, por kanë rezervuar 1 miliardë doza. Madje, këto tri shtete kanë vetëm 1% të rasteve të Covidit në nivel global. Pjesa tjetër e botës është duke e pritur Godonë. Fatkeqësisht, me këtë qasje, virusi mund të gjej strehues nëpër botë për t’u shumëzuar, ndryshuar petkun dhe vazhduar serialin e pafund të kufizimeve.

REFLEKTIMI NË RENDIN E RI BOTËROR

Pandemia na detyroi të rishikojmë kuptimin tonë për jetën dhe t’i themi vetes “ndalu pak”. Të shijojmë detajet e vogla të përditshmërisë, të cilat në shikim të parë na dukeshin të parëndësishme deri sa u ndaluan nga virusi. Të kthehemi kah shenjtëria e dashurisë së familjes, e cila është më e fuqishme se çdo virus. Në kohë pandemie, kur në botë po shumëzohen pabarazitë, kërkohet solidaritet, sidomos për të moshuarit, të pastrehët, të papunët e të varfrit.Pandemia, paradoksalisht, duke ulur aktivitetin industrial pastroi ajrin, lumenjtë, natyrën; zvogëloi aksidentet. Por, gardin e kësaj mbrojtjeje duhet ta mbajmë lart dhe assesi të vazhdojmë të presim pyje, të fusim peshq nëpër gypa, të ndotim lumenjtë, apo ta mbysim të gjelbrën me beton.
Virusi duket se do ta shkruajë rendin e ri botëror. Urgjentisht duhet të shfrytëzohet momentumi për investime afatgjata në shëndetin publik. Por, buxheti i ndarë për këtë vit, fatkeqësisht tregoi se të zgjedhurit e popullit nuk e kanë mësuar leksionin. Shëndetësia po vazhdon të ushqehet me trosha.Duhet të ulemi dhe të mësojmë nga gabimet tona që të jemi më të përgatitur për sfidat e radhës. Viruset do t’i kemi këtu edhe nesër e pasnesër. Një tjetër kandidat për “pandemi të qetë” quhet rezistenca antimikrobike. Nëse vazhdojmë me trendin aktual të keqpërdorimit të antibiotikëve, nesër mund të jetë shumë vonë sepse nuk do të kemi me çka të mjekohemi as nga infeksionet më të zakonshme.Në fund do ta mposhtim këtë armik global. Kur po futemi në vitin e dytë të përballjes, do të kujtojmë përjetë çdo pishtar shëndetësor dhe çdo qytetar që humbëm në këtë betejë me COVID-19!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *