LVV: PDK nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë, kanë ftesën që katër muaj
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba i është kundërpërgjigjur kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas deklaratës së janë duke pritur ftesë nga LVV dhe së bashku ta rrëzojnë qeverinë Hoti.
Deputeti Zyba në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se PDK tash e katër muaj ka një ftesë nga LVV.
“PDK në fillim thoshte që vetëm le ta fillojë dikush mocionin e mosbesimit sepse ne jemi për rrëzimin e kësaj qeverie. Me rastin e fillimit të procedurave të mocionit, përkatësisht para konferencës për media të datës 6 gusht, LV e ka ftuar PDK-në që të mbështesë mocionin dhe të jap kontributin e saj në tekstin e mocionit të mosbesimit. Të njëjtës, PDK nuk iu patën përgjigjur duke e konsideruar atë të pasinqertë. Pra, tashmë ka një ftesë së cilës PDK nuk iu është përgjigjur”, u shpreh Zyba.
Deputeti shtoi tutje se “që nga ajo kohë, kanë kaluar 4 muaj prej fillimit të mbledhjes së nënshkrimeve për mocion dhe ajo refuzon t’i japë nënshkrimet, derisa ndërkohë në disa raste iu vë në shërbim qeverisë së paligjshme”.
Sipas deputetit, PDK tashmë ka ndërruar qëndrim në raport me mocionin.
“Tash së fundi përsëri ka ndryshuar qëndrim në raport me mocionin e filluar nga ana e jonë. Për dallim nga një deklaratë pararendëse nga atëherë kryetari i saj, Veseli, i cili thoshte qartë se në momentin kur LV sjellë mocionin në Kuvend, PDK do ta votojë, tash kryetari në detyrë, Hoxhaj, ka një qëndrim tjetër. Sipas këtij të fundit, pasi të jenë grumbulluar nënshkrimet e nevojshme që mocioni të sillet në Kuvend, pra pasi të jenë mbledhur 40 nënshkrime, LV duhet ta ftojë në takim PDK-në, e vetëm pas atij takimi PDK do të dalë me një qëndrim të qartë”, deklaroi ai.