Marrëveshja Rusi-Serbi, Tahiri u bën thirrje Shqipërisë e Maqedonisë të largohen nga “Ballkani i Hapur” 

                   Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri ka reaguar për marrëveshjen e arritur dje mes Serbisë e Rusisë për koordinim në politikën e jashtme.Ajo me anë të një postimi në Facebook ka thënë se ky hap mund të çojë në atë që edhe “Ballkani i Hapur” të bëj një marrëveshje të tillë.Sipas saj, tanimë është koha që Shqipëria dhe Maqedonia të tërhiqen nga “Ballkani i Hapur”.

Këtë të fundit, ajo e quan projekt hegjemon ruso-serb.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes me Rusinë dje, Serbia bëri të qartë se është me Rusinë dhe jo me perëndimin. Një hap i këtillë mund të coj që edhe Ballkani i Hapur të bëj një marrëveshje të tillë. Tani e kanë momentin Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë veriore të distancohen nga ky projekt hegjemon ruso-serb”, shkruan Tahiri.

Lidhur me këtë marrëveshje ka reaguar sot edhe kryeministri Kurti.

Kurti ka thënë se marrëveshja e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.

“Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të mbrojtjes, kemi ministër të punëve të brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës. Ndërkohë që përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Milloshevicit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, tha Kurti sot.