MASHT thotë se është gati për fillimin e vitit të ri shkollor, presin vendimin final nga Qeveria

0

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arbërie Nagavci ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.Nagavci përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se po respektohen rekomandimet e profesionistëve shëndetësor, e do të vazhdohet me masat e njëjta, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.Tutje ajo ka thënë se vendimi përfundimtar për fillimin e vitit të ri shkollor do të vendoset në mbledhjen e radhës të Qeverisë.

Më poshtë edhe postimi i plotë:

Të dashur punëtorë të arsimit, të nderuar prindër. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.Është rishikuar dhe publikuar “Udhëzuesi për organizimin e mësimit për vitin shkollor 2021/2022 në kushtet e Pandemisë COVID-19” dhe i njëjti është dërguar edhe në drejtoritë komunale të arsimit.Udhëzuesi, mundëson organizimin e mësimit sipas kushteve epidemiologjike në vend duke përfshirë edhe kushtet e rihapjes së institucioneve edukativo-arsimore me masa të shtuara për shëndetin publik, kushte të mbylljes së pjesshme apo kushte të mbylljes së plotë për shkak të rrezikshmërisë së shëndetit nga COVID-19.Po ashtu, janë shpërndarë tekstet shkollore si dhe janë përgatitur shkollat për fillimin e procesit mësimor. Siç e kemi thënë edhe më herët, synimi ynë është që institucionet shkollore të hapen sa më parë dhe mësimi të realizohet me prezencë fizike.Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e rradhës së Qeverisë.Të gjithë jemi dëshmitarë se varianti Delta po shpërndahet shumë më shpejt sesa versionet e mëhershme dhe po transmetohet e po prek edhe moshat e hershme, andaj duhet të respektojmë në përpikëri të gjitha rekomandimet e masat dhe të sigurohemi se rikthimi i fëmijëve në shkolla të jetë i sigurtë .Si ministre e Arsimit përgëzoj të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *