Mashtrimi nuk mund të përmirësohet me mashtrim- Shkruan;Hisen BERISHA,deputet i Parlamentit.

Pjella e jugonostalgjikëve, e cila është instaluar në të gjitha nivelet, deri te qeveria dhe parlamenti, duke shantazhuar shoqërinë civile, duke sulmuar mediat, fatkeqësisht duke abuzuar e mashtruar mërgatën, është mobilizuar në prodhimin e propagandës si mjet mashtrimi i lëvizjeve revolucionare. Kjo propagandë ka për qëllim të mbajë pushtetin me premtime të papërmbushura dhe kauza të rrejshme, të cilave po u bëhet repriza serish tani që faktikisht ka filluar fushata e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Por, mashtrimi nuk mund të asanohet me mashtrim! Edhe zgjedhjet e kaluar u fituan me mashtrime, përmes propagandës mashtruese që arriti të krijoj përceptimin te masat popullore se për 20 vite, gjithçka që ishte bërë në ketë vend; që u ngrit nga rrënojat e luftës, ishte shkatërrim. Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, në mënyrë profetike i pati thënë kryeministrit në ardhje Kurtit se “po bëhet kryeministër, por Kosova do të vuajë prej tij. “Kemi me ta pa sherrin, ke për ta kthyer Serbinë në Kosovë”. Me çdo veprim të tij politik, diplomatik, ekonomik, dhe së fundmi edhe në fushën e sigurisë, ai po e falimenton shtetin e Kosovës. Segmenti i fundit që po shkatërrohet janë Forcat e Armatosura të Kosovës. Kjo po bëhet në koordinim me Beogradin – Viçiqin, përmes bashkëpunëtorëve të tyre në cilësinë e “btatave e zemlakave”. Ky dështim nuk mund të mbulohet me propagandën e lakejve të partisë. I gjithë suksesi i proklamuar në Forcë është një mashtrim, ndaj vetvetes dhe ndaj qytetarëve, sepse Serbia të cilës po i shërbehet me këto veprime, i ka këto informata. Në 25 vite liri, që nga 19 shtatori 1999, kurrë nuk ka ndodhur që ushtria të mbetet pa shërbimet logjistike. Ka qenë institucioni më i preferuar në Kosovë. Duhet theksuar se për vetëm 12 vende kadetësh oficerë kanë aplikuar deri në 7 mijë të rinj (18-22 vjeçar), dhe procesi i testimit ka zgjatur me muaj. Sot, konkurset përsëriten dhe mosha e aplikantëve është rritur në 18-25 vjeçarë, por interesi ka rënë ndjeshëm. Nuk është se jemi bërë suedezë apo zviceranë që nuk kemi më interes për ushtrinë, por janë kushtet e shërbimit që i pengojnë të rinjtë të aplikojnë. Kurrë nuk ka ndodhur që në ditën e inaugurimit të Kadetëve Oficerë të shfaqen me “atlete” për shkak të mungesës së çizmëve? Një situatë e tillë nuk do të ishte lejuar as nga ndonjë oficer serb pjesë e Forcës, nëse do t’i lihej përgjegjësia. Kjo tregon për qëllim dhe dashje për të sabotuar komponentën kyçe të sistemit të mbrojtjes – Ushtrinë. Kurse largimi i Ushtarëve dhe Ushtarakëve është kthyer në një trend shqetësues operacional që pengon përmbushjen e objektivave të PGJT dhe RSSS, për krijimin e FAK. Ajo që duhet bërë e ditur është fakti se, pjesëtarët e Forcës, nuk po largohen për bukë apo uniforma, sado që fyejn dinjitetin e tyre, sepse kanë bërë zgjidhje të lejueshme. Arsyet janë më të thella dhe kronike, të lidhura me keqmenaxhimin, komandimin dhe drejtimin jo profesional, që sjellin një mori faktorësh demotivues, si: pagat dhe kushtet e shërbimit; manipulimet me gradime; trajnimet jashtë vendit dhe përzgjedhja manipulative; moskompenzimi i kujdestarive; moskompensimi për punën jashtë orarit; mungesa e transportit për vajtje-ardhje në punë, etj. Prandaj, mos u përpiqni të vendosni diktat mbi ushtarakët dhe ushtrinë, e cila e ka në ADN-në e saj UÇK-në. Kjo vlerë ka gardianët e saj. Edhe pse jemi një shtet demokratik, mos e provokoni dhe mos e fyeni ushtarin deri në atë pikë sa nuk mund të mbahet më, sepse historia njeh gjeneralë që kanë ndalur politikën kur kjo e fundit ka filluar të erëzojë tradhti./www.QendraPress.com/