Mbi 26.000 maturantë nesër i nënshtrohen Testit të maturës
Në 184 qendra të ndryshme e në të gjitha qytetet e Kosovës, të shtunën, mbi 26.000 maturantë, do t’i nënshtrohen Testit të maturës.
Për shkak të COVID-19, nuk do të lejohen më shumë se 12 nxënës dhe të gjithë duhet të mbajnë distancën fizike dhe maskat mbrojtëse.
Po për shkak të pandemisë, këtë vit testimi do të jetë vetëm në një ditë, ku nxënësit do të kenë 100 pyetje nga katër lëndë me pragun e kalueshmërisë prej 40 pikëve.
Për këtë ngjarje, Ministria e Arsimit ka angazhuar mbi 2.500 administrues, shkruan KP-ja të premten.
Drejtorë të drejtorive komunale të Arsimit nëpër komuna, janë shprehur të gatshëm për këtë, duke thënë se janë kryer edhe dezinfektimet e shkollave.
Besim Avdimetaj, kryesuesi i drejtorëve komunalë të Arsimit, njëherësh drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës, thotë se të gjitha komunat kanë bërë përgatitjet e duhura.
Avdimetaj beson se procesi do të shkojë mirë.
“Të gjitha komunat janë të përgatitura për të mbajtur Testin e Maturës më 29 gusht, janë caktuar administruesit, ekipet monitoruese dhe testet janë të përgatitura dhe do të respektohen masat të cilat janë paraparë nga Këshilli Shtetëror i Maturës. Shpresojmë që Testi i Maturës do të kalojë kësaj radhe me sukses edhe pse është një gjendje mjaftë e rënduar nga pandemia”, tha Avdimetaj