Mbledhja e rregullt me drejtorët e Komunës së Prizrenit
Në prani të mediave, sot, u mbajt mbledhja e përjavshme me drejtorët e Komunës, udhëhequr nga Kryetari Shaqir Totaj.
Fillimisht, Kryetari i adresoi të gjitha çështjet nga bisedat me qytetarët te drejtorët përkatës, të cilat do të trajtohen ditëve në vijim.
Çështjet më të rëndësishme që u diskutuan:
Së shpejti fillojnë punimet në shtrimin e rrjetit të ri të kanalizimit në rrugën “Ibrahim Rugova” (ish rruga “De Rada”) në Prizren – nga Stacioni i Autobusëve deri në objektin e Prokurorisë – projekt i KFË-së gjermane.
Riorganizimi i hapësirave për vendosjen e kioskave në gjithë territorin e Komunës së Prizrenit.
Është bërë largimi i disa konstruksioneve metalike në hapësira publike që janë shfrytëzuar pa leje ligjore.
Procesi i shpronësimit të objektit të ndërmarrjes “Liria” (pas Shtëpisë së Bardhë), ku do të bëhet rrënimi i këtij objekti, e cila hapësirë do të shfrytëzohet për zgjerimin e rrugës.
Planifikimi i procesit të zgjedhjes së kryetarëve të bashkësive lokale, me ç’rast është bërë lajmërimi në të gjitha rrjetet sociale dhe janë vendosur fletushka për orarin mbledhjeve në të gjitha fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane.
Stadiumi i Zhurit është në fazën finale të punimeve dhe parashihet që në muajin qershor të bëhet përurimi i tij. Njëkohësisht, do të përfundojë dhe ndërtimi i kullës së heroit kombëtar Remzi Ademaj në Zhur.
Është mbajtur një ligjëratë për kancerin e qafës së mitrës, me mjekët dhe infermierët e QKMF-së.
Vazhdimi i punës së komisionit përkatës për verifikimin e pajisjeve bujqësore në terren.
Përgatitjet për festën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt./www.QendraPress.com/