Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kishte alarmuar për udhëzimin e Ministrisë së Drejtësisë: Sjell shumë vështirësi për të paraburgosurit
Mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së të cilë po gjykohen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, para dhjetë muajve, kishte kërkuar që të ndryshohet udhëzimi administrativ për mbrojtjen juridike të klientëve të tyre, meqë ai siç është paraparë mund të sillte shumë vështirësi.
Sipas tyre, ky udhëzim do të vështirësonte mbrojtjen adekuate sa i përket të akuzuarve të cilën po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Kjo kërkesë pason plotësim-ndryshimin e fundit të Udhëzimi Administrativ Nr. 08/2022, i cili parasheh tarifa të reja për avokatët dhe shpenzimet e tjera për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Katër të akuzuarit shprehin shqetësimin e tyre se tavanet në tarifat e avokatëve dhe shpenzimet e tjera të prezantuara rishtazi në Udhëzimin Administrativ Nr. 08/2022 nuk reflektojnë kostot aktuale që mbrojtja pëson në këto raste. Për rrjedhojë, mundësia që katër të akuzuarit të realizojnë një mbrojtje efikase dhe efektive është në rrezik.”, thuhet në kërkesën e tyre.
Mbrojtja kishte paraqitur një kërkesë për rritjen e tarifave të avokatëve dhe shpenzimet e tjera për kompensim për disa arsye.
“Që në fillim, duam të shprehim shqetësimet tona sa i përket mënyrës dhe metodës së kalkulimit të shumave ligjore sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 08/2022. Ndonëse e respektojmë obligimin e organeve publike si Ministria e Drejtësisë për t’u kujdesur për fondet publike, theksojmë gjithashtu se Ministria duhet të kujdeset për fondet publike në një mënyrë qe nuk rrezikon mbrojtjen e katër të akuzuarve në proceset gjyqësore pranë Dhomave te Specializuara. Ne kemi vënë re se Udhëzimi Administrativ Nr. 08/2022 paraqet një sërë anomalish në lidhje me tarifat për mbrojtjen juridike dhe shpenzimet e tjera të cilat jo vetëm se nuk pasqyrojnë kostot ekonomike për mbrojtjen e rasteve të madhësisë dhe rëndësisë së tillë, por mbi të gjitha nuk përputhen me disa nga dispozitat e tjera të Udhëzimit Administrativ apo me praktikat e vendeve të tjera të rajonit.”, thuhet në kërkesë.