Mbushen me të sëmurë spitalet e Gjermanisë, mjeku: Nuk kam parë kurrë diçka të tillë 
Numri i njerëzve në Gjermani, që janë duke vuajtur nga ndonjë lloj i infeksionit apo sëmundjes, ka arritur ne dimensione historike, ka thënë presidenti i Shoqatës gjermane për Kujdesin Intensiv dhe Emergjencat, Christian Karagiannidis.“Shkalla e sëmundjeve në gjithë popullsinë është jashtëzakonisht e lartë. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, ka thënë ai për gazetën, Rheinische Post.Në shumë rajone, pothuajse të gjithë shtretërit për kujdes intensiv janë të zënë, ka thënë ai, duke përmendur që koronavirusi nuk është më problemi kryesor. “Momentalisht jemi duke luftuar shumë sëmundje, gripin sezonal, sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, plus emergjencat e zakonshme”, ka thënë ai.Përveç numrit të lartë të pacientëve, spitalet e Gjermanisë janë duke u përballur edhe me mungesë të ilaçeve.Karagiannidis u ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore që të prodhojnë ilaçe paraprakisht dhe që ato të magazinohen, në mënyrë që të jenë gjithmonë të qasshme.“Diçka e tillë është e kushtueshme, mirëpo më shqetëson fakti që një shtet si Gjermania duhet të përballet me mungesa të tilla”, ka thënë Karagiannidis.Ministri i Shëndetësisë në rajonin e Bavarisë, Klaus Holetschek, i ka bërë thirrje Qeverisë gjermane që të mbajë një takim urgjent para festave për të gjetur një zgjidhje për këto mungesa, bashkë me sektorin e shëndetësisë dhe industrinë e ilaçeve./ REL