Më 6 dhe 7 korrik takohen delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel
Takimet e reja në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi pritet të mbahen më 6 dhe 7 korrik të këtij viti, transmeton Insajderi.
Ndonëse jo në nivelin e lartë, në javën e parë të këtij muaji pritet që të zhvillohen takime midis delegacioneve të të dyja vendeve, në Bruksel.
Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Burimet e REL brenda BE-së nuk kanë saktësuar se cilat do të jenë temat e këtyre takimeve, por kanë paralajmëruar që në kuadër të tyre do të flitet edhe për marrëveshjet e arritura deri me tash në dialog dhe për shkallën e zbatimit të tyre.
Po ashtu ky takim do të shfrytëzohet edhe për përgatitjen e një takimi të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të zhvillohet nga fundi i këtij muaji në Bruksel.
Kurti e Vuçiq u takuan për herë të parë në Bruksel më 15 qershor.
Kryeministri i Kosovës kishte propozuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën, si dhe ka kërkuar njohjen e ndërsjellë.
Ndërkaq, Vuçiq kishte ngritur çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Derisa nuk kishte pajtim për asnjë nga këto pika, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në dialog, Miroslav Lajçak, e kishte cilësuar këtë takim të vështirë. /Insajderi.com