Me boshllekun institucional si strategji politike, po i shërbehet kaosit në Kosovë?Shkruan:Gjeneral  Hisen Berisha

Kosova po kalon një periudhë të zymtë të stagnimit politik për shkak të vakancës institucionale, e cila nuk është më një pasojë e ndasive politike apo kalkulimeve të përkohshme, por është shndërruar në një strategji të qëllimshme që synon ruajtjen e një status quo-je të paralizuar, ku askush nuk merr përgjegjësi dhe asgjë nuk lëviz.

Në thelb të kësaj strategjie qëndron frika nga ndryshimi i raporteve të fuqisë në skenën politike të vendit, nëse ajo lihet të ecë lirshëm drejt zgjedhjeve dhe garës së ndershme demokratike.

Fyerjet e rënda dhe sulmet personale të vazhdueshme ndaj kundërshtarëve politikë nuk janë rastësi. Ato nuk janë vetëm produkt i polarizimit, por pjesë e një taktike të qëllimshme për të pamundësuar formimin e një konsensusi minimal dhe për të penguar ndërtimin e një alternative reale që mund të sfidojë pushtetin aktual. Zvarritja sistematike e procesit të konstituimit të Kuvendit, në këtë kontekst, shfaqet si pjesë përbërëse e kësaj taktike, sidomos duke pasur parasysh qëndrimet e shprehura në vazhdimësi se çdo zhvillim politik duhet të qëndrojë pezull derisa të përfundojnë proceset juridike ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kjo qasje, në dukje pasive, në realitet është aktive dhe e dëmshme. Ajo synon të mos krijojë as kushtet më minimale për lirim të përkohshëm për mbrojtje në liri të liderëve të UÇK-së, sepse rikthimi i tyre eventual në skenën politike do të përmbyste ekuilibrat aktualë. Prania e tyre do të fuqizonte një alternativë që natyrshëm do të kishte mbështetje të gjerë popullore, por edhe mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, me theks të veçantë amerikane, diçka që aktualisht mungon në mënyrë dramatike.

Ky vakum i krijuar në mënyrë të qëllimshme nuk është një fenomen i izoluar. Ai ndodh në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më agresiv ndaj Kosovës, ku Rusia dhe Serbia po bëjnë gjithçka për ta mbajtur vendin në krizë permanente, pa zgjidhje, pa stabilitet dhe pa institucione të qëndrueshme e përfaqësim serioz ndërkombëtar. Në këtë kontekst, vakumi institucional që po mbrohet me zell nga një pjesë e klasës politike në Kosovë i shkon për shtat drejtpërdrejt interesave të Moskës dhe Beogradit. Ky është një kaos i kontrolluar që u shërben jashtë vendit, por dëmton brenda çdo aspekt të jetës politike, demokratike dhe shtetërore.

Edhe incidentet e kontrolluara duken gjithnjë e më shumë si manovra për të devijuar vëmendjen e opinionit publik nga kriza e thellë dhe permanente politike. Kur nuk ka institucione, nuk ka debat serioz dhe kur partitë nuk garojnë për ide e programe, atëherë incidentet dhe tensionet artificiale bëhen “agjenda e ditës”.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, së bashku me Bashkimin Evropian – përfaqësuar së fundi nga vizita e znj. Kaja Kallas – kanë përcjellë një mesazh të qartë se nuk ka më kohë për stanjacion dhe llogari të brendshme partiake. Kallas e vizitoi Prishtinën për të dërguar një sinjal të prerë që Kosova duhet të dalë nga ky qorrsokak politik. Pritshmëritë ndërkombëtare janë të thjeshta: krijimi i institucioneve, rifillimi i dialogut, garantimi i stabilitetit dhe avancimi drejt integrimit evropian. Mosveprimi nuk është më opsion dhe për çdo vonesë të mëtejshme, do të ketë pasoja.

Në fund, dilema për Kosovën është e qartë: ose do të mbetet peng e një logjike politike që i frikësohet garës së ndershme dhe mbështetjes ndërkombëtare për alternativat e reja, ose do të zgjedhë rrugën e përgjegjësisë, konsensusit dhe partneritetit me Perëndimin. Zgjedhja nuk është e lehtë, por është urgjente dhe koha nuk pret më. Orët dhe ditët e ardhshme mund ta zhbllokojnë situatën. Deklarata e fundit e Fatmir Limajt për gatishmërinë për debllokim, nëse lexohet me kujdes mes rreshtash, jep indikacione se marrëveshja mes NISMA-s dhe LVV-së është e mundur. Në këtë rrethanë, zhbllokimi i procesit mbetet çështje ekskluzive e vullnetit politik të Kurtit, i cili tashmë mban çelësin e formimit të institucioneve.

Përpjekjet e vazhdueshme për të imponuar mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit përmes ndryshimit të formës së votimit nga i hapur në të fshehtë, në mes të së njëjtës seancë apo vazhdimeve të saj, përbëjnë një shkelje të qartë të normës kushtetuese dhe rregullores së Kuvendit. Kjo praktikë jo vetëm që minon integritetin procedural të legjislativit, por është edhe precedent i rrezikshëm për shtetin e së drejtës.

Ndryshimi i formës së votimit nuk mund të bëhet arbitrarisht në mes të seancës. Edhe sikur të tentohej në fillim të saj me votim dhe dakordim politik, do të mbetej i kontestueshëm për sa kohë që nuk është në harmoni me frymën dhe germën e Kushtetutës. Kushtetuta, në gërmën e saj, vendos parimin e transparencës në procesin e vendimmarrjes parlamentare thekson se “votimi është rregullisht publik”. Votimi i fshehtë është përjashtim dhe mund të përdoret vetëm kur parashihet shprehimisht nga Kushtetuta ose Rregullorja e Punës së Kuvendit.

Kjo që po ndodh nuk është vetëm çështje teknike apo taktike parlamentare, por thelbësisht një akt manipulativ me rregullat, në funksion të vullnetit politik të një subjekti që pretendon legjitimitet absolut, ndërsa në praktikë e shkel atë.

Alternativa ndaj mosveprimit prej shtetari të Kurtit është që Gjykata Kushtetuese ta japë opinionin juridik-kushtetues për hapjen e rrugës drejt krijimit të institucioneve. Edhe koha në dispozicion prej tre muajsh për shqyrtimin e kërkesës nga kjo Gjykatë mund të shkurtohet nëse Presidentja paraqet kërkesë të njëjtë, meqë vetë Gjykata ka vendosur që nuk jep opinione në pyetje hipotetike pa vendim të formës së prerë. Në fund, e vërteta është se Kurti dhe LVV nuk i kanë votat për ta bërë qeverinë – përkundër spekulimeve publike se mund t’i kenë. Prandaj bllokada ka vazhduar pikërisht sepse ai është frikësuar të hyjë në afatet kushtetuese që do të çonin në një zgjidhje të imponuar nga Kushtetuta./QendraPress/