Me penën e artë të :Gëzim Ajgeraj
ËNDRRAT E THYERA
Nuk e di sot se si m’u kujtua nata e fundit
përpara se të më merrte arratisë
dhe ajo mbrëmje e tymtë pa hënë
kur te porta më erdhi një lajmës
të më sillte kumtin e zi
se duhej të arratisesha larg
Ish natë pa hënë e mezi ia pashë fytyrën
pos që i njoha zërin e çjerrë që kurrë
s’ia kisha parë surratin
sa herë e takoja te fshati
për çudi kjo dashamirësi e tij
që hiqej shpëtimtari i prangave të mia
Ishte natë pa hënë e zezë korb
kur nëna më përqafoi përmallshëm
e lotin s’ia shihja dot nga ajo errësirë gushti
dhe as mua kush s’më pa pos xhaxhait nën dritat e makinës
që priste të më nxirrte në botën e lirë
Nuk e di sot pas tridhjetë e tri motmotesh
si më piku errësirë e asaj nate pa hënë
mbi kujtesën time të lodhur udhëve
e të zhuritur mallit nëpër këto udhë të arratisë
nëpër Evropën e ëndrrave të thyera
Zvicër, 2020
REZYME E STINËS
Pranvera iku shpejt
Mbi tepihun e gjelbër të stinës
Me vete e kish sjellë
Edhe pandeminë e Covidit
Thonë se gjurmët e mortit na i la
E vetë iku padukshëm e pa u pa
Kush s’i shkeli
Mbi tepihun e gjelbër sivjet
Ankthi pandemik
Mbeti i mbyllur në karantinë
E kush s’pati t’i dilte
As ta priste e as ta përcillte
Në ishte zonjë e bukur sivjet
Kush s’ia pa bukurinë
Krimit covidian
Njeriun e kishte kthyer në numra
Kujt i intereson bukuria
Në kohë morti?
Mbi tepihun e gjelbër
Parakaloi vetëm ankthi
Dhe armata e apokalipsës covidiane
Lirshëm e pa u penguar nga askush
Se s’kish kohë kush
T’ia përcillte bukurinë e ngjyrave
As edhe zogjtë
Se njerëzit i kishin fshehur kokat
T’i shpëtonin katrahurës
2020
PRAPË PËR GURIN
Thonë se poetët
janë zemërakë nga brenda
e të urtë jashtë
Ka kohë
që sillem rreth gurit
e s’e shkul dot
Ma mbolli Evropa
në mes të arës së gjyshit
a durohet kjo padrejtësi,
ooooo…!
Pastaj thonë
se poetët janë zemërakë
e si ta shuaj
këtë zjarr në gji
A durohet guri i huaj
në mes të arës së gjyshit,
o ju të uruar?
2020