Me poeten;Ajne IBËRHYSAJ
VALËT E JETËS
—————————-
Kështu janë valët e jetës,
si ato rrugët e pambaruara
ku disa kalojnë mes sheshit të pritjeve
që s’kanë lidhje me stinët, me vitet
ku fjalët të ngjajnë si net të përgjumura.
Rrugët e jetës
janë baladë dhembjesh që ndryhen në shpirt
teatër ku secila pjesë e trupit vetëvritet
në Itakën e syve të tu të përhumbur
E kur fillon ta kuptosh veten
të ka mbetur veç foleja e vetmisë
lotët që ujitin faqet e librave
shi që kurrë nuk jepet hua
si sytë e tu shtegtarë.
Vjen një çast që e kupton
se ka dashuri të egër si urrejtja
ka urrejtje që nuk i ngjan asnjë dashurie
ka vajtim pa lot
kur harresa i vret kujtimet
me pendesë e trishtim të pa fund
E tillë është kjo jetë
ka ditë të hirta e të bardha
që s`kanë lidhje me vjeshtën
e as me mua…!
/www.QendraPress.com/