Me poeten:Mirvete Kabashi Leku
PRANVERË 2020
Diellin jam mësuar ta shoh nga Sharri
E freskun e mëngjesit
Ta shijojë buzë Lumbardhi
Pranverën ta nuhas me aromën e Lulevjollcës
Kur rrugës për Kala
E nxirrja nga nënferra.
Pranverë 2020
Na solle mallkimin e vetmisë
E thelluar në mendime
Në kthesë vitesh të tretura
E vetme e trishtë duke ndier mall
Gjej qetësi, në laps e letër
Vargëzoj vargun për ty Pranverë 2020.
PRES
Që nga mëngjesi shikoj lindjen
Pres rrezet…
Të më ndriçojnë.
Ndjehem akull, si në thellësi të acarit.
Më mashtroi dielli
Nuk m’i dhuron as rrezet e kësaj vere.
Me sytë nga lindja prita kot… dje, sot…
E nesër?…
Shpresa mbetet gjithmonë, më e fortë.
Përsëri pres.
Të vë kokën te gjoksi i shpresës…
DYLUFTIM
Koronë tinzare
Si hije e zezë
Më dole përballë
Me sy s’të shihja
Por, më flisje në gjuhën e vdekjes.
Ishe tinzare e fortë
Nuk të shija
Por, të ndjeja kur më ngulfatje.
Trupin ma bëje
Si akullnaje Alaske
E kokën ma kallje si kuçeder me zjarr të fortë
Ah, ty virues vrastarë
Të përballova
Të munda
Edhe pse të pash te arkivoli i zi
Jeta më duartrokiti për fitore
E Zoti pranoi lutjet e më të dashurve të mi
Të munda o bajloz i zi
Të munda
U ringjalla sërish!