Me poetin ne diaspore:Mursel Sopaj
MË PRET
Më pret rreze e mëngjesit
Dhe një flutur në dritare
Po si valë, në radhë kujtimet
Zë i gjyshes zemërmadhe
Më pret rruga gropa-gropa
Baltë e pluhur si dikur
Duart e babës plasaritur
Dhe një çekan aty mbi mur
Pret rrugica që te çon
Te një shok i fëmijërisë
Duar të njoma që kuqlojnë
Nëpër degët e qershisë
Zë i lojës në një fushë
Si stuhi e sjellin malet
Një betejë me pushkë të drunjtë
Zjarret ndezur të 1 majit
Më pret nëna ulur në shkallë
Mbytur në dhembje e në mall
Plagët e shpirtit që s’iu mbyllen
Lotët varg që nuk iu thanë
Pret një këngë e pambaruar
Shkruar një kohë me lule prilli
Shkronjë për shkronjë atje e qepur
Te fabrika e tekstilit
Pret një varg nën at’ çati
Si një foshnje tek përkundet
Sikur zgjat duart te gjiri
Nga një ëndërr teksa zgjohet
Rrinë ca trakte, ca broshura
Ngrirë nga dimrat, poshtë në dhé
Zë i mbytur del nga toka
“Merrna, merrna edhe ne”
Pres t’i marr si nëna foshnjen
Dhe në gji t’i ngroh prapë
Në damarë t’i ndiej si flasin
Plagët e shokëve, që derdhën gjak
********************
Do të kthehem, do të kthehem
Mbi një erë a një valë lumi
Si qiriu ku të shkrihem
Nën një re të më merr gjumi
Më pret rruga që me shpie
Për te lumi e matanë
Nën at’ Rrap aty nën hije
Ku vjen i lanë faqet një zanë
Të pushoj aty te Rrapi
Natën vonë kur ka qet’si
T’i them valës së Bistricës
Merrmi brengat siç di ti
T’i them flladit plot me erë
Që zbret leht’ nga grykë e malit
Për ty malli m’paska marrë
S’ka në botë si fllad i Sharrit
Më kanë ngelur ca lotë si valë
Që s’u thanë e që s’u treten
Për ata që s’i gjej më
Për ata që më nuk kthehen
Rrugë e malit plot me myshqe
E pashkelur rri ndër vite
Në ato shpate pret t’më shpie
Në ato oda strehë lirie
Ku të shkel, e ku të vete
Kudo janë gjurmët e tij
Mu si urë që lidh dy brigje
Bashkon zemrat përsëri
Bashkon zemrat përsëri
Në ate tokë me erë baruti
Me fanar si Diogjeni
Melhem plage, Bajram Kurti
*************************
Hagen, 30 tetor 2020