Më shumë se një muaj nga shkarkimi ende nuk është emëruar asnjë ambasador i ri, MPJD hesht

0

                     Edhe pas më shumë se një muaji, prej se janë shkarkuar nga detyra 13 ambasadorë politikë të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës, ende asnjëri nga ta nuk është zëvendësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.Më 20 maj të këtij viti, kur edhe ishte konfirmuar që presidentja e vendit, Vjosa Osmani kishte dekretuar propozimin e MPJD-së për shkarkimin e ambasadorëve, ministrja Donika Gërvalla, kishte deklaruar se emërimi i të rinjve do të bëhet brenda disa javësh.Pavarësisht deklaratës së ministres Gërvalla, emërimi i ambasadorëve të rinj ende nuk është bërë.Telegrafi është interesuar për procesin e emërimit të ambasadorëve, por Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk është deklaruar rreth kësaj çështjeje.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla / Foto: Ridvan Slivova

Gjatë një konference për medie, Gërvalla kishte thënë se do të vazhdojnë edhe me vendime tjera sa i përket shërbimit diplomatik, teksa bëri të ditur se përzgjedhje e ambasadorëve të rinj do të bëhet javëve në vazhdim. “Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, si dhe do të vazhdojë reforma. Reforma është e vonuar, kjo po përgatitet në mënyrë serioze”, deklaroi ajo në fund të majit, ku edhe falënderoi të gjithë ambasadorët politikë për punën qe kanë bërë.Sipas një sqarimi që ka dhënë për Telegrafin, Emir Abrashi nga Demokracia Plus, ambasadorët e shkarkuar zëvendësohen nga diplomati tjetër me rangun më të lartë me shërbim në atë mision diplomatik, i cili merr detyrën e të ngarkuarit të përkohshëm me punë (Chargé d’Affaires ad interim). Mirëpo, Ministria e Punëve të Jashtme mund të vendosë të dërgoj një person tjetër me rangun Ambasador, nga radhët e diplomatëve të karrierës, për të kryer detyrën e të Ngarkuarit me Punë deri në dërgimin e Ambasadorit të ri (siç është rasti i dërgimit të Ambasadorit Valdet Sadiku, si i Ngarkuar me Punë në Uashington).

Emir Abrashi, Demokracia Plus

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.

“Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në ligj.

Reagimet pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Disaporës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me shkarkimin e ambasadorëve nga presidentja, Vjosa Osmani, në iniciativë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky vendim është i papjekur politikisht dhe do të ketë ndikime negative në politikën e jashtme të Kosovës.“Vendimi i sotëm i presidentes së Kosovës, me nismën e Ministres së Jashtme, për lirimin nga detyra të një numri ambasadorësh të Kosovës është i paprecedent dhe i papjekur politikisht që do të ketë ndikime negative në politikën e jashtme të Kosovës. Largimi i paparalajmëruar i Ambasadorëve të Kosovës, në mes të detyrës, në një periudhë të sfidave për shtetësinë e Kosovës e dobëson pozitën e saj dhe e dëmton angazhimin në ndërtimin e partneritet serioz me shtetet pritëse”, kishte deklaruar Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj /Foto: Ridvan Slivova

Edhe ish-kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar pas propozimit që Ministria e Punëve të Jashtme i ka bërë presidentes Vjosa Osmani, që të lirojë nga detyra të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht.Hoxhaj në një reagim të bërë ka thënë se me vendimin që ka marrë Qeveria Kurti, ka suspenduar politikën e jashtme.Ish-kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj /Foto: Ridvan Slivova“Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me ‘çelës politik’, e ka suspenduar Politikën e Jashtme. Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj në reagimin e bërë në Facebook.Gërvalla gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme tha se nuk do të ketë vakum institucional edhe pse janë liruar nga detyra 13 ambasadorë politikë dhe se ata, ashtu siç edhe është afati do të emërohen deri në gusht.“Vendimet i kemi marr pasi jemi menduar mirë dhe konsiderojmë se është hap drejt reformës….Vakum institucional nuk do të ketë”, tha Gërvalla, raporton Telegrafi.

Lidhur me rastin në Australi, ku shteti i Kosovës ishte i përfaqësuar vetëm nga ambasadori dhe nuk ka staf tjetër, ajo tha se këtë e kanë trashëguar nga qeverisja e kaluar.“…Australinë e kam të trashëguar… E vetmja që na mbetet është që të emërojnë ambasador të ri”, tha ministrja duke shtuar se do ta emërojnë brenda afatit të caktuar.Ajo bëri të ditur se ambasadorë nuk ka as në Austri, Japoni, Britani, etj. “…Dhe ambasadorët nuk krijohen brenda një kohe kaq të shkurtër…”, tha ajo. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *