Media zvicerane: Serbia po e përdor pandeminë për ta demonstruar fuqinë ndaj Kosovës
Radio televizioni zviceran, SRF i ka kushtuar hapësirë të veçantë thirrjes së Serbisë që qytetarët e Kosovës të vaksinohen në Beograd, tashmë kur në Prishtinë ende nuk kanë ardhur vaksinat Anti Covid. Me titullin “Serbia përdor pandeminë për të demonstruar fuqinë e saj kundër Kosovës”, shpjegohet se Serbia u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen kundër COVID 19 në Serbi. Aty megjithatë, theksohet se për t’u vaksinuar pranohen vetëm njerëzit që kanë dokumente identifikimi që janë të lëshuara nga një autoritet serb. “Serbia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në Kosovë që të vaksinohen kundër Covid në Serbi. Sidoqoftë, pranohen vetëm njerëzit me dokumente identifikimi të lëshuara nga një autoritet serb në Kosovë. Kjo e ashtuquajtur “diplomaci e vaksinimit” shkakton reagime të zemëruara”, thuhet në këtë kronikë, ku është dhënë edhe një deklaratë e u.d të presidentit, Vjosa Osmani dhe disa qytetarëve për këtë çështje.