Memli Krasniqi i vë “vijë të kuqe” Kurtit: Ne nuk qeverisim me të, s’kemi pika të përbashkëta
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nuk sheh rrugë për t’iu bashkuar një qeverie të Albin Kurtit, siç ka thënë ai, për shkak të dallimeve të shumta.Krasniqi ka thënë se nuk e sheh të domosdoshme që PDK e VV të bashkëqeverisin, as për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.“Nuk i bashkohemi Kurtit në asnjë lloj qeverie, e qeverisje, sepse nuk është e domosdoshme. Kemi dallime thelbësore në koncept, mentalitet, qasje, percepsion, besim, histori, në krejt sendet e mundshme”, ka deklaruar ai në T7.Dallimet edhe më të thella i kanë në ekonomi dy partitë, ka thënë ai.“Mos të flasim në ekonomi dhe bindjet se si duhet me funksionu një shtet. Me z. Kurti nuk shoh pika të përbashkëta për me arritë një marrëveshje”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.Krasniqi ka thënë se PDK do ta përkrahte marrëveshjen përfundimtare me Serbinë edhe nga opozita, nëse ajo është brenda kushteve të saj, të vendosura kohë më parë.“Neve nuk na pengon asgjë që të votojmë për një marrëveshje nga opozita, nëse ajo i përmban ato pika të cilat ne i përkrahim. E kemi dorëzuar një dokument që ka qenë platforma e PDK-së për dialopgun, që ka qenë prej parimeve themeltare deri te vijat e kuqe. Ne marrëveshjen e presim brenda atyre kornizave. Unë jam i bindur që kjo është e arritshme”, ka thënë ai.