Memli Krasniqi: Kurti nuk e ka legjitimitetin ta shkatërrojë aleancën me SHBA-në
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e ka nuk e ka legjitimitetin ta shkatërrojë aleancën me SHBA-në.
Kjo deklaratë e Kreut të PDK-së erdhi pas konferencës së jashtëzakonshme të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se situata me dinarin e ka dëmtuar partneritetin e SHBA-së me Kosovën.
“Albin Kurti nuk e ka legjitimitetin me i shkatërrua aleancat e Kosovës. Kurti ka fituar zgjedhjet për t’i realizuar premtimet që u ka dhënë njerëzve”, tha ai.
Krasniqi për Ekonomia Online tha se një situatë e tillë nuk është vetëm e dhimbshme, por edhe alarmante, pasi kryeministri Kurti dhe qeveria e tij me gabimet e tyre po e sjellin punën që të dëmtohen raportet SHBA-Kosovë
.“Një situatë e tillë nuk është vetëm e dhimbshme, por edhe alarmante, sepse kur zoti Kurti dhe Qeveria e tij me veprimet dhe gabimet e tyre e sjellin punën që qeveria amerikane, edhe përmes ndihmë sekretarit amerikan të Shtetit, edhe përmes deklarimit në konferenca të jashtëzakonshme të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë del dhe e thotë qartazi se partneriteti mes Kosovës dhe Amerikës është dëmtuar”, u shpreh ai.
I pari i PDK-se tha se automatikisht duhet ndërmarrë veprime për të ndryshuar dhe kthyer ky raport qenësor ekzistencial i Kosovës si ka qenë gjithmonë në të kaluarën.
“Automatikisht duhet ndërmarrë veprime për të ndryshuar dhe kthyer ky raport qenësor ekzistencial i Kosovës aty ku ka qenë dhe aty ku e dëshirojnë qytetarët e vendit tonë”, theksoi kreu i PDK-së.