Memli Krasniqi: Qeveria Kurti shkeli dinjitetin e veteranëve të UÇK-së – protesta e tyre është legjitime

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka shkelur dinjitetin e veteranëve të UÇK-së dhe ka shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se protesta e nesërme e veteranëve të UÇK-së është legjitime dhe e drejtë dhe veteranët kanë të drejtë që të përdorin çdo mjet demokratik, qytetar e institucional për të kërkuar atë që u takon. “Partia Demokratike e Kosovës i ka përkrahur dhe do t’i përkrahë kërkesat e tyre të drejta”, tha Krasbiqi nëpërmjet një deklarate në faqen e tij në Facebook. Deklarata e plotë e Memli Krasniqi: Albin Kurti dhe Qeveria e tij, vazhdimisht dhe publikisht kanë shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, Kryeministri Kurti ka shkelur dinjitetin e secilit prej tyre. Prandaj, protesta e nesërme e veteranëve të UÇK-së është legjitime dhe e drejtë. Veteranët kanë të drejtë që të përdorin çdo mjet demokratik, qytetar e institucional për të kërkuar atë që u takon. Partia Demokratike e Kosovës i ka përkrahur dhe do t’i përkrahë kërkesat e tyre të drejta. Qeveria duhet ta kuptojë sa më parë që veteranët nuk janë barrë për këtë shoqëri, por patriotë që meritojnë respektin e plotë të secilit. Kjo sjellje e papërgjegjshme karshi veteranëve është absurde, e paarsyeshme dhe duhet të ndryshojë menjëherë.