Memli Krasniqi: Qeveria po kërkon përplasje për ta larguar vëmendjen nga skandali i përgjimeve ku Kurti koordinohet me Radojçiqin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të qeverisë Kurti, që nxisin dhunë e përplasje mes shqiptarëve.Lideri i opozitës e ka quajtur skandaloze, fyese dhe nxitëse deklaratën e ministrit Xhelal Sfeçla.“Gjithsesi, kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, e dështuar në të njëjtën kohë, që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heqë vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila. Përgjimet dëshmuan se kush me kë po koordinohet dhe me kë po bashkëpunon – edhe në dëm të interesit të vendit”, tha Krasniqi.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Qeveria kërkon përplasje!
Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj. Veteranët kanë paralajmëruar sot protestë paqësore, për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim.Pikërisht, për ta eskaluar këtë protestë që veteranët tanë të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta, një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla.Kjo Qeveri e ka humbur arsyen. E ka humbur rrugën. Shpëtimin, sikur gjatë gjithë historisë së saj, e kërkon në përplasje civile. Turp i madh! Fatkeqësi e madhe!Gjithsesi, kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, e dështuar në të njëjtën kohë që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heq vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.