MENDËSIA E PARTIKRACISË NË KOSOVË –Shkruan;Prof. Dr .Nexhat Çoçaj
Si të mbrohemi nga mjerimi politik, që po e mbulon vendin….
Politika dhe lidershipi i saj, kanë qenë tema të trajtuara nga shumë studime sociale dhe kanë ardhur në përfundim se “vota” si dhuratë jepet në këmbim. Është e natyrshme që njeriu të jetë optimist… të ëndërrojë më të mirën, më të duhurën për të. Por, në Kosovë ky parim sikur nuk funksionon me rregulla të frymës politike si gjithkund tjetër në botë. Kështu në Kosovë sistemi partikratik vepron me një mendësi tjetër që me keqardhje po funksionon për mrekulli. Mendësia politike në Kosovë, ka ndryshuar qëllimin, synimin dhe mesazhin. Nëse bëhet një krahasim i tridhjetë viteve më parë, kur Kosova gjendej nën thundrën okupuese, politika kishte qëllim, synim dhe mesazh, gjë që edhe tash e ka, por me orientime tjera. Kështu, pas shpalljes së pavarësisë e në veçanti pas tërheqjes së politikës nga rruga (lexo pas përfundimit të fushatës dhe fitores së arritur) pra, pas uljes në karrige, qëllimi i saj si pikë e parë është të nisë spastrimin dhe distancimin nga kontribuuesit e sinqertë dhe ata që kanë qenë në vijën e drejtë me fituesin e zgjedhjeve- kryetarin. Ky distancim që ndryshe mund të përkthehet në mjerim politik, po bëhet me të vetmin arsyetim se pjesa tjetër, anëtarë të të njëjtit subjekt politik, duhet rehabilitohen, të cilët kanë vepruar të kundërtën e grupimit të parë që shpërblehen me distancim, që nga dita e parë e fushatës nisin neglizhimet, shantazhet, fyerjet, prognozat dhe deri te bastet. E gjitha kjo “luftë” bëhet për një qëllim të vetëm, që individë të regjur me vepra të tilla, të dalin të fituar.
Dhe vërtetë, në sistemin partikratik në Kosovë, fitojnë pothuajse të gjithë ata që kanë qenë në ballë të protestave për ta luftuar fitoren e filan kryetarit, gjëja në emër të parimeve, që shantazhojnë dhe shpikin lloj – lloj marifetesh për ata që nuk kanë kursyer as një ditë të vetme, që kryetari tash i fituar të arrijë suksese; të organizojë pjesën tjetër të taborit shatazhues që t’i “luftojnë” kontribuuesit, që në sytë e lidershipit të mos dalin në shesh veprimet skandaloze të tyre. Andaj, në këtë sitëm partikratik, fitorja e një subjekti politik apo një kryetari, udhëhiqet nga ata persona, që deri dje është mbrojtur prej tyre që të mos bie në ndonjë gropë, ndërsa ata që i ndihmuan ta kapërcejë atë gropë të anashkalohen, të përbuzen skajshmërish, duke harruar se katër vite kalojnë shpejt.
Mjerimi politik, ka kapluar subjektet politike, për faktin se ata janë të bindur, se simpatizantët e sinqertë janë të durueshëm, janë të përkushtuar, nuk bëjnë zë, nuk hidhërohen sikur edhe gishtat t’ua fusësh në gojë, sikur të mos ua realizosh premtimet, sepse duhet reahtuar rebelët. Në anën tjetër, kur rebelët marrin pushtet, ata harrojnë se kush kanë qenë dhe në sytë e politikës dalin më meritorë se meritorët, më të angazhuar se çdo kush tjetër.
Ky mjerim e ka kapluar edhe subjektin tim politik dhe nuk e di se deri ku e ka vrapin. Edhe sa kohë i duhet që t’i largojë e distancojë të gjithë ata që e duan partinë dhe vizionin e sajë, për t’i zëvendësuar me me njerëz që mbi të gjitha kanë interesin e tyre personal dhe të familjarëve të tyre, sepse mbase kjo ka qenë marrëveshja në mes të kreut të partisë dhe atij, që pos të futet atje ku ka dëshiruar t’ia pastrojnë rrethin nga njerëzit meritor.. Mjerim, mjerim…./www.qendrapress.com/