Ministri Maqedonci në Amerikë takon ndihmës-sekretarin e Ushtrisë për blerje ushtarake
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedoni po vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq është pritur nga zëvendës-sekretarja e Mbrojtjes, Sasha Baker dhe po ashtu ka takuandihmës-sekretarin e Ushtrisë së SHBA-së për blerje ushtarake, logjistikë dhe teknologji, Douglas Bush. Në njoftimin për media bëhet e ditur se Maqedonci pati takime dhe me ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes për Çështje Ndërkombëtare të Sigurisë, Celeste Wallander, Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes për Evropë dhe NATO, Lisa Sawyer, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes. “Në takim u diskutua për raportet bilaterale ushtarake, planin e tranzicionit, mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në aspektin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta si dhe konsultimet rreth planit bilateral të mbrojtjes që do të diskutohet në fillim të vitit 2024.Zëvendës Sekretarja Baker, shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e Kosovës për stabilitetin e regjionit të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen që Kosova po jep për luftën e drejtë të popullit të Ukrainës kundër agresionit rus”, thuhet në njoftim. Gjithashtu, në takim u rikonfirmua synimi i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes si dhe vazhdimin e koordinimit të përbashkët për të kontribuar për paqen dhe sigurinë në regjion dhe më gjerë. Vizitën në Departamentin e Mbrojtjes, ministri Maqedonci e vazhdoi me takimin me ndihmës-sekretarin e Ushtrisë së SHBA-së për blerje ushtarake, logjistikë dhe teknologji, Douglas Bush.“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri ynë kryesor strategjik!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/