Ministri Murati sqaron punën e shtesave, kështu llogaritet paga për ata që kanë përvojë pune
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur sot para Komisionit për Buxhet, ku e ka adresuar çështjen e koeficientit dhe pagave.
Murati ka sqaruar çështjen e shtesave, duke shtuar se vlera e koeficientit shkon më lartë për ata që kanë përvojë pune.
“Shpeshherë kur po bëhen krahasime, po bëhen krahasime të pagës bruto me të gjitha shtesat që është aktuale me vetëm pagën bazë bruto dhe natyrisht ky është krahasim i pasaktë për shkak se nuk është krahasimi i njëjtë. Psh. nëse e marrim vetëm shtesën e përvojës së punës tani që llogaritet mbi pagën bazë dhe nëse do ta transferoni në koeficient, ta zëmë nëse dikush ka përvojë pune 0 vite, e ka vetëm koeficientin e pastër bazë 105. Por, nëse dikush do të kishte 10 vite përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 2.5 përqind ose nëse shumëzohet me koeficient do të dilte 107.6 koeficienti. Nëse do të kishte 20 vjet përvojë pune, shtesa për përvojën e punës për 20 vite është 6.25 përqind apo koeficienti do të përkthehej në 111.6 ose nëse shkojmë deri në 40 vite përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 16.25 përqind ose nëse do të shumëzohej me koeficientin, do të kishim një koeficient 122, pra dikush me 40 vjet përvojë pune, normalisht paguhet më shumë si rezultat i shtesës së përvojës dhe kjo është vetëm njëra nga shtesat që është shtesë universal. Për 30 vite, është 11.25 përqind që i bjen nëse përkthehet te
Ai ka folur edhe për mjekët duke thënë që ata mjekë që do të punojnë vetëm në institucione publike do të kenë shtesa.
“Do të ketë edhe shtesë mbi pagën bazë me shtesat tjera për të gjithë ata që të vendosin të punojnë ekskluzivisht për sektorin publik, pra duan të jenë të lidhur vetëm me sektorin publik dhe nuk punojnë askund tjetër në sektorin privat, pra që të mos kemi më mjekë specialistë ku punojnë dy-tri orë në ditë në sektorin publik, dhe në kohën tjetër kalon në sektorin privat”, ka thënë Murati.
“Pra, ideja është që ata që zotohen se do të punojnë vetëm në sektorin publik do të kenë edhe një shtesë tjetër, dhe mbi të gjitha këto. Kjo është për shëndetësi, pra është edhe shtesa e përvojës së punës që mbi një pagë bazë tash, mbi 1200 euro ka krejt tjetër reflektim në raport me pagën bazë 600 euro sa ka qenë. Domethënë, baza është dyfishuar”, ka thënë ai.