Ministri Peci paditet për fyerje dhe shpifje nga ish-drejtori i Institutit Bujqësor
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci është paditur për shpifje nga ish-drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.
Kjo është bërë e ditur nga vetë Geci, i cili ka ushtruar padi me pretendimet se Peci e ka fyer atë si dhe ka shpifur në drejtim të tij.
Në padinë e dorëzuar dje në Gjykatën Themelore të Prishtinës, thuhet se ministri Peci më 12 shtator 2024 në foltoren e Kuvendit të Kosovës duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Mirlinda Tishkuaj-Sadiku, ka shpifur dhe fyer personalitetin e Fehmi Gecit.
Në padi thuhet se Peci ka deklaruar se “Projekti për inventarizimin e tokave bujqësore me vlerë prej 1.4 milion euro është një ndër projektet më abuzive dhe flagrante që unë kam gjetur në Ministrinë e Bujqësisë., ….. si rezultat i veprimeve që unë i kam ndërmarrë si ministër, por edhe mekanizmat e drejtësisë, aktualisht ish-drejtori i Institutit Bujqësor është i suspenduar dhe me aktakuzë të ngritur, e bashkë me të edhe 3 zyrtarë të tjerë, për shkak të abuzimit flagrant që kanë bërë me këtë projekt”.