Ministri Vitia pohon: Lista e pritjeve në QKUK do të digjitalizohet, lista e barnave esenciale e zgjeruar…
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se procesi i pritjeve në QKUK do të digjitalizohet, me investime të fokusuara në sportele “ku bëhen të gjitha tollovitë”.
Sipas Vitisë, kjo do ta zgjidhë një problem të kamotshëm të qytetarëve, e përveç digjitalizimit, do të investohet edhe në kushte komode gjatë pritjes.
Tutje, ministri, ka folur edhe për listën e barnave esenciale, e cila tani është në nivelin më të lartë ndonjëherë, duke mbuluar 70-75 të barnave në QKUK.
Ai ka thënë se Komiteti për Listën e Barnave Esenciale vazhdimisht bën përditësim të kësaj liste në bazë të kërkesave të profesionistëve shëndetësor, teksa ka marrë shembull atë të Klinikës së Gjinekologjisë për barna për fertilizimin e asistuar mjekësor.
E teksa foli për problemet në referimet e shumta nga spitalet dhe qendrat tjera në QKUK, Vitia ka thënë se po bëhen disa veprime që numri të ulet.
“Ministria e Shëndetësisë ka dhënë udhëzimet. ShSKUK-ja tash është duke punuar në këtë drejtim. Kanë filluar disa investime në spitale regjionale, investime që do të vazhdojnë, për të rritur kapacitetin dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve. E dyta, ajo çka po bën ShSKUK-ja, çdo referim që bëhet duhet të jetë referim i arsyeshëm dhe duhet të raportohet. Kjo na ndihmon edhe neve si Ministri e Shëndetësisë që t’i hartojmë politikat tona të investimeve, në kuptimin që është problem i referimit, mungesa e resurseve njerëzore, të hapim vende pune për këto pozita. Nëse është edukimi i vazhdueshëm profesional, bashkë me QKUK-në, të bëhet edukimi. Ndërsa, nëse është mungesa e hapësirave ose e pajisjeve, të investojmë në hapësira dhe pajisje të reja, që numri i referimeve të ulet. Procesi ka filluar, çdo referim bëhet në koordinim me QKUK-në dhe Klinikën Emergjente”./E.O/