Ministri Vitia të mërkurën mban takim me kryetarët e komunave, diskutohet edhe heqja e orës policore

0

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka ftuar për ditën e mërkurë një takim virtual kryetarët e komunave të Kosovës. Takimi virual, pritet të fillojë në ora 10:00, ku do të diskutohet për procesin e deritashëm të vaksinimit nëpër komuna, situatën aktuale me COVID, si dhe për masat e reja. Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka konfirmuar për Reporteri mbajtjen e takimit. “Po të mërkurën në ora 10:00 do të mbahet takim virtual mes kryetarëve të komunave me ministrin Vitia”, ka thënë ai shkurt për Reporterin. Në këtë takim do të diskutohet edhe për orën policore, ku pritet të merret vendim që të hiqet. Ky lehtësim i masave pritet të vijë pasi që ka ditë që numri i rasteve me COVID ka shënuar rënie të madhe. Sot ishte vetëm një person i vdekur, kurse u shënuan vetëm 14 raste të reja me coronavirus. Kujtojmë se nesër nga ora 18:00 gastronomët e Kosovës do të dalin në protestë në sheshin “Skënderbeu” para objektit të Qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *