Ministria e Financave: Secili punonjës që ka humbur punën gjatë pandemisë do t’i subvencionohet paga me 170 euro
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati sot ka marrë vendim për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me operacionalizimin e Masës 1.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë.Në njoftimin e bërë për media thuhet se “në vazhdën e masave të punësimit të prezantuara deri më tani, të cilat janë të rëndësisë të veçantë në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, është edhe Masa 1.1 e cila synon të ndihmojë ata që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë”.“Përmes Masës 1.1 secili punonjës që ka qenë i punësuar në periudhën dhjetor 2019 – shkurt 2020 dhe e ka humbur vendin e punës do t’i subvencionohet paga bruto deri në 50% për 3 muaj, duke filluar nga periudha tatimore korrik 2021. Kusht për subvencionim është që përfituesi të mos ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën prill 2021 – qershor 2021”, thuhet në njoftim.Tutje, në komunikatë thuhet se “për të përfituar nga subvencioni, punëtorët e rinj duhet të kualifikohen për Masën 1.1, ku verifikimi do të bëhet përmes webfaqes së ATK-së”.“Më pas, të kualifikuarit duhet të deklarohen nga punëdhënësi në deklaratën e rregullt mujore që dorëzohet në sistemin elektronik EDI të ATK-së, duke filluar nga data 1 gusht 2021 (për periudhën tatimore korrik 2021). Pasi të jetë bërë deklarimi, punëdhënësi duhet të plotësojë formularin për subvencionim, po ashtu përmes sistemit EDI”, bëhet e ditur në njoftim.Aplikimi për subvencion nga Masa 1.1 do të mund të bëhet deri më datë 15.10.2021. Për vegzën elektronike për kualifikim, hapjen dhe udhëzuesin e aplikimit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të njoftojë publikun gjatë ditëve në vijim. /Telegrafi/