Miratohet projektligji që parasheh rregullimin e skemave sociale
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar sot në parim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”. Vlera totale e këtij projekti është 47 milionë euro dhe do të shërbejë për reformim të skemës sociale në Kosovë.Këtë projektligj para deputetëve e ka paraqitur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se ky projekt i mundëson qeverisë që të përmirësojë efikasitetin e sistemit të asistencës sociale.“Vlera totale e projektit pritet të kap shumën deri në 47 milionë euro dhe i mundëson Qeverisë së Kosovës që të përmirësojë efikasitetin e sistemit të asistencës sociale, ku përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejt familjeve në nevojë, si dhe avancimin e sistemeve të integruara sociale në mënyrë që të krijohet mundësia që në të ardhmen të zgjerohet baza e asistencës sociale në raport edhe me nevojat e qytetarëve. Pra, kur ekonomia e vendit pëson shok sikurse ishte rasti me pandeminë të ketë mundësinë që të zgjerohet pa pasur nevojë për aplikime shtesë apo procedura burokratike”, tha ai.Murati tha se marrëveshja sheh realizimin e tri komponentëve, ku tregoi edhe shumën e financimit për secilën prej tyre.“Marrëveshja parasheh tre komponentë kryesorë, e para parasheh përforcimin e sistemit të ofrimit të mbrojtjes sociale dhe aktivizimin e përfituesve të ndihmës sociale në tregun e punës, pra përmes ndërlidhjeve me sistemet ekzistuese, kjo komponentë parasheh financim rreth 5 milionë euro. Komponenti i dytë është i fokusuar në përmirësimin e performancës së skemës së ndihmave sociale dhe do të financojë në mënyrë retroaktive një pjesë të shpenzimeve të cilat kanë ndodhur gjatë vitit 2021 për familjet në nevojë… kjo ka financim rreth 41 milionë euro. Kurse komponenta e tretë ka si synim sigurimin e kapaciteteve për implementimin e projektit dhe menaxhimin adekuat të tij në vazhdimësi, kjo parasheh financim 700 mijë euro”, shtoi ai.Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të dijë se ku shkojnë këto mjete, derisa tha se më herët janë marrë kredi për investime kapitale dhe tashmë po merren për të financuar skemat sociale.“Për çka shkojnë këto mjete, sipas leximit që unë i kam bërë marrëveshjes këto mjete shkojnë për ndihmë të familjeve në asistencë sociale, për të zhvilluar skema të reja edhe për të ngritur kapacitetin e institucioneve për të menaxhuar skemat e tilla. Ne po marrim kredi për të financuar skemat sociale, ne e kemi pasur që kreditë i kemi marrë për investime kapitale, bile ju keni qenë më i zëshmi që në pjesën më të madhe të kredisë ta çojmë për investime kapitale”, tha ai.Në përgjigjen e tij, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se projekti parash ngritje të kapaciteteve dhe reformim të skemës sociale.“Aktualisht Kosova e them për vitet e kaluara, shpenzimi për asistencë sociale ka shkuar diku 30 milionë euro në vit që është larg nevojës reale të vendit, sepse përbën pak më shumë sesa ndoshta 1 përqind e buxhetit. Në vitin 2020 dhe këtë vit ka pasur një rritje të theksuar, sidomos këtë vit, besoj që e tejkalon mbi 50 milionë euro për shkak të pandemisë, por nuk ka pasur zgjerim të bazës, më tepër ka qenë mbështetje shtesë për familjet ekzistuese që janë në skemë. Në të ardhmen parashihet që të kemi zgjerim të bazës së përfituesve në mënyrë që të targetohen më mirë dhe të mos lihen anash familjet që kanë nevojë”, tha ai.Ndërsa, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se pavarësisht nevojës për mbështetje të përfituesve të skemave social, shuma prej 47 milionë euro kredi është shumë e madhe. “Sigurisht ju i takoni një partie e cila është e majtë dhe pjesa kryesore që jemi koncentruar është ndihma sociale, gjë që është e kuptueshme. Sigurisht që Kosova ka nevojë për mbështetje të ndihmës sociale dhe për rishqyrtimin e të gjitha kategorive pajtoj me juve, sigurisht në këtë pjesë e marrëveshjes që unë po e shqyrtoj dhe e kemi analizuar është që pse me qenë një buxhet kaq i jashtëzakonshëm, 47 milionë euro për çështje teknike, administrative, për ngritje të kapaciteteve, ku besoj që ka mundësi që me një shumë edhe më të vogël me u rregullu”, tha ai.Në këtë mbledhje, deputetët kanë miratuar edhe Projektligjin për inspektime.