Miratohet vendimi, Qeveria zotohet për subvencionim të energjisë në shumën prej 90 milionë euro
Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 60-të me radhë ku ka miratuar vendimin për zotim të subvencionimit të energjisë elektrike.Në një njoftim për media theksohet se sipas këtij vendimi, Qeveria është zotuar për subvencionim të energjisë në shumën prej 90 milionë euro, dhe jo 75 milionë sa ishte paralajmëruar më herët, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Në njoftim theksohet se vendimi synon të ulë ndikimin e tarifave të energjisë për konsumatorët.“Ky vendim është marrë pas rritjes enorme të çmimeve të importit, që ka shkaktuar krizën e furnizimit me energji elektrike në vend”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) pritet që gjatë shkurtit të dalë me raport final në lidhje me tarifat e reja të rrymës.Organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë propozoi shtrenjtimin e rrymës për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj, duke nxitur reagime dhe dy protesta.ZRRE ka thënë se rritjes së çmimit të rrymës do t’i shpëtojnë vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë më pak se 600 kWh rrymë në muaj.Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.