Misteri i krimit në Gjilan: Gjaku i tri plagëve të 19- vjeçarit ende në shkallët e ndërtesës
Familjarët e të ndjerit janë intervistuar dhe sjellim detaje nga Gjilani për këtë rast.
Dyert e banesës së 19-vjeçarit E. Smerqaku nga komuna e Gjilanit ishin të mbyllura sot. Aty nuk gjendej askush. Ani se një ditë më parë në hyrjen e ndërtesës ku ky i ri jetonte ka ndodhur një ngjarje e rëndë.
19- vjeçari dyshohet se është therur me thikë nga persona ende të panjohur për organet e hetuesisë kosovare në lagjen e njohur të Gjilanit “Bojanina”.
Pak pas orës 00:00 të mesnatës të së premtes 19-vjeçari nga kafeneja ku punonte ishte nisur për në banesën e tij e cila gjendej në rrugën “Gjon Sereqi”, të Gjilanit. Por ai, aty dyshohet se u therr me thikë nga persona ende të panjohur për Policinë e Kosovës.
Gjilan: Njollat e gjakut në ndërtesën ku kishte jetuar E. Smerqaku
h Në gjendje të rënduar shëndetësore, E. Smerqaku u gjet nga zyrtarët policor.
Nga ta ai fillimisht ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Gjilanit e më pas për në QKUK. Pas pranimit në QKUK, 19-vjeçari ka vdekur pasi nuk ka mundur t’i mbijeton plagëve të rënda që ka marrë nga thika.
Njolla gjaku ende ka në banesën ku 19-vjeçari kishte jetuar
Ekipi i Gazetës Express dhe T7 gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Gjilan. Në banesën ku i ndjeri kishte jetuar, sot nuk gjendej askush.
Por përgjatë shkallëve që çonin në katin e gjashtë të kësaj ndërtese, aty edhe ku i ndjeri kishte jetuar, shiheshin njolla gjaku të cilat ende nuk ishin pastruar ende.
Njollat e gjakut që besohet të jenë të 19-vjeçarit nga Gjilani
Krahas familjes, për të ndjerin kanë folur fqinjët e tij. Ata thonë se ai nuk njihej si person problematik në lagje e as në qytet.
E kemi njoft. Jemi të shokuar nga kjo ngjarje. Nuk ka ba probleme. Çka ndodhi e si nuk e dimë as vet. Kanë qenë shumë të zotët, të shkolluar. Ka punuar së fundmi si kamarier në një kafiteri. Me paratë e saj shkollohej”, thonë fqinjët e të ndjerit.
Smerqaku fillimisht ishte dërguar në spitalin rajonal të Gjilanit e më pas për në QKUK. Drejtori i këtij spitali, Nisret Hajrullahu për ekipin e gazetës ka deklaruar se i ndjeri kishte pasur tri plagë. Me urgjencë e pa vetëdije ai ishte dërguar për në QKUK.
“Në spitalin rajonal të Gjilanit personi në fjalë është sjellë mbrëmë. Ka pasur tri plagë. Në bazë të gjendjes së tij ne e kemi dërguar menjëherë për në QKUK”, ka deklaruar Hajrullahu.
Pas pranimit në QKUK, 19 vjeçari ka vdekur pasi nuk ka mundur t’i mbijeton plagëve të rënda që ka marrë nga thika.
Prokuroria: Ende nuk kemi të dyshuar, po i mbledhim pamjet e kamerave të sigurisë
Për zbardhjen e këtij rasti janë duke punuar zyrtarë nga Prokuroria e Kosovës. Prokurori i këtij rasti, Agron Uka i tha Expressit se kanë lëshuar urdhëresë për të mbledhë pamjet e kamerave të sigurisë në disa lokacione të ndryshme të qytetit të Gjilanit.
Thotë se janë intervistuar familjarët e të ndjerit. Ndërkohë që për rastin ende nuk ka ndonjë të dyshuar.
“Jemi duke punuar në këtë drejtim. Ende nuk kemi të dyshuar. Kemi dhënë urdhër që të merren pamjet në disa lokacione të qytetit të Gjilanit”, ka deklaruar Uka për Express.
Për rastin kanë folur edhe nga Policia Rajonale në Gjilan. Zëdhënësi i këtij rajoni i tha Gazetës, se policia mbrëmë rreth orës 00:06 minuta kanë marrë informatën se në rrugën “Gjon Sereqi” në Gjilan është një person i lënduar dyshohet me mjete te mprehtë. Patrullat policore ju kanë përgjigjur informatës ku në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën E. S. (2001) .
“Viktima është dërguar me urgjencë ne spitalin rajonal në Gjilan , më pastaj është dërguar në QKUK-në Prishtinë”, ka deklaruar Hashani.
“Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i shtetit , njësitet e hetimeve dhe forenzika rajonale. Rreth orës 01;55 nga QKUK jemi njoftuar se viktima i dërguar nga Gjilani ne Prishtine kishte ndërruar jete . Me urdhër te prokurorit të shtetit trupi i pa jete dërgohet në IML.
Për momentin askush nuk është arrestuar. Policia e Kosovës po punon intenzivisht në zbardhjen e rastit.